Mourinho thumbon Fernandesin për rekordin e penalltive në United

  • E.K /
  • 29 July 2020 - 15:06
Mourinho thumbon Fernandesin për rekordin e penalltive në United

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, e ka thumbuar mesfushorin e Manchester Unitedit, Bruno Fernandesin, për rekordin e tij në penallti të shënuara, duke u tallur se bashkëkombësi i tij e ka provuar veten në rreth 20 penallti këtë sezon.

Manchester Unitedi theu rekord në Premierligë për më së shumti penallti të fituara brenda një sezoni të vetëm kur Anthony Martial u pengua brenda zonës së penalltisë gjatë përballjes të së dielës kundër Leicesterit.

Fernandes, i cili u transferua në janar për 55 milionë euro, e mori përgjegjësinë për ta shënuar penalltinë e 14-të të Djajve të Kuq për sezonin 2019/20, që ua trasoi rrugën për fitoren 2:0 në King Power Stadium.

Djemtë e Ole Gunnar Solskjaer e kanë siguruar pozitën e tretë në tabelë dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve, përderisa e kanë zgjatur edhe ecurinë e ndeshjeve në Premierliga pa pësuar disfatë në 14.

Manchester Unitedi ka grumbulluar më shumë pikë sesa cilado skuadër tjetër e Premierligës që nga transferimi i Fernandesit nga Sporting CP. Portugezi ka kontribuar në këtë arritje me 10 dhjetë dhe tetë asiste në 20 paraqitjet e para për klubin në të gjitha garat.

Megjithatë, gjashtë nga dhjetë golat e Fernandesit u shënuan nga pika e penalltisë dhe Fernandes e ka tallur bashkëkombësin e tij për këtë statistikë.

“Bruno erdhi, ishte në formë, luajti mirë, e përmirësoi skuadrën e Manchester Unitedit dhe gjithashtu e dëshmoi se është i mrekullueshëm në gjuajtje të penalltive, ndër më të mirët në botë, sepse i ka pasur 20 penallti për t’i shënuar”, ka thënë Mourinho.

Fernandes do të ketë mundësi ta dëshmojë veten në fanellë të Manchester Unitedit edhe më tutje këtë sezon, kur të rinisë sezoni i Ligës së Evropës në gusht. 

(Kosova Sot Online)