Kur do të nisë sezoni 2020/21 në top pesë ligat e Evropës

  • S.A /
  • 29 korrik 2020 - 16:09
Kur do të nisë sezoni 2020/21 në top pesë ligat e Evropës

Pasi kalendari i garave për sezonin 2020/21 u çrregullua shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë, Federatat e Futbollit dhe shtëpitë e futbollit po tentojnë ta nisin sezonin e ri sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pas tre muajve pauzë të detyrueshme shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë, ligat evropiane të futbollit ose e kanë përfunduar sezonin aktual, ose janë afër fundit.

Bundesliga ishte e para që e rinisi sezonin pas ndërprerjes në mars dhe i zhvilloi ndeshjet e fundit të sezonit në fund të qershorit. Premierliga dhe La Liga e mbyllën sezonin së fundi, ndërsa Ligue 1 vendosi të mos e rinisë sezonin fare dhe e mbylli në prill.

E vetmja ligë evropiane e madhe që po vazhdon ende me xhiro është Serie A, që do t’i zhvillojë ndeshjet e fundit të këtij xhiroje këtë fundjavë.

Deri në fund të sezonit 2019/20 janë ende ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës në gusht dhe ndeshjet e ekipeve kombëtare në shtator. Megjithatë, tani Federatat dhe shtëpitë e futbollit po bëhen gati për sezonin e ardhshëm.

Premierliga

Premierliga fillon ta nisë sezonin 2020/21 më 12 shtator, më shumë se një muaj me vonesë në krahasim me sezonin e kaluar.

La Liga

Spanja e ka caktuar të njëjtën datë si Premierliga, me ndeshjet që do të nisin më 12 shtator. Ndërsa, ndeshjet e fundit të sezonit janë planifikuar të zhvillohen më 23 maj të vitit 2021.

Bundesliga

Futbolli gjerman ishte i pari që e rinisi sezonin aktual, mirëpo ata duket se do të jenë të fundit që do ta rinisin sezonin e ri. Data e rinisur është caktuar të jetë 18 shtator.

Ligue 1

Në prill, qeveria franceze vendosi t’i anulojë të gjitha eventet e mëdha sportive deri në shtator, kështu që Ligue 1 u detyrua ta mbyllë para kohe sezonin dhe ta shpallë PSG-në kampione në bazë të renditjes së deriatëhershme. Megjithatë, tani Ligue 1 do ta nisë sezonin e ri më 22 gusht.

Serie A

Serie A nuk ka ende datë zyrtare të caktuar për nisjen e sezonit të ri, megjithatë edhe liga elitare italiane mund të nisë më 12 shtator, në të njëjtën ditë me Premierligën dhe La Ligën.

(Kosova Sot Online )