Thaçi kujton takimin e parë me Vokrrin dhe Rugovën: Golat e tij ishin protestë politikë

  • S.A /
  • 30 July 2020 - 10:25
Thaçi kujton takimin e parë me Vokrrin dhe Rugovën: Golat e tij ishin protestë politikë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka kujtuar Fadil Vokrrin me një postim në llogarinë e tij në Facebook, në kuadër të rubrikës #Njerëztëpaharrueshëm. Thaçi kujtoi se si bashkë me ish-presidentin Ibrahim Rugova e kishin takuar për herë të parë Vokrrin, për të cilin pati lëvdata të shumta.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.

Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016.

Për këto arritje të tij, Thaçi e ka përfshirë atë në rubrikën #njerëztëpaharrueshëm, që është iniciativë e tij për t’i kujtuar personalitetet që kanë ndikuar në formësimin e tij.

“Si i ri jam rritur duke e dashur dhe simpatizuar klubin futbollistik “Trepça”. Dashuria e gjeneratës sime për futbollin në vitet 80-ta ishte e lidhur ngushtë me emrin e Fadil Vokrrit”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

“Ai shënonte gola kudo që luante. Aq sa ishin emocion dhe gëzim sportiv golat e Fadilit, po aq ishin edhe protestë politike. Si simpatizant i tribunave, atë për herë të parë e takova fizikisht në Paris, në vitin 1999, ku bashkë me presidentin Rugova dhe me disa bashkatdhetarë e pimë nga një gotë”.

“Edhe pse Kosova përballej me spastrim etnik nga pushtuesi serb, Fadili, i cili nuk përzihej në politikë, ia dinte rëndësinë paqes dhe me padurim priste që përvojën sportive të tij dhe të asaj gjenerate ta bartnin tek të rinjtë e Kosovës”.

“Ëndrra e tij u bë realitet! Me urtësinë, mençurinë dhe talentin e tij, ai arriti të bëhet i nderuar kudo nëpër botë. Edhe pse asokohe UEFA dhe FIFA ende i kishin të mbyllura dyert për Kosovën, emri i Fadilit e hapte çdo derë”.

“Me anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, ai na bëri të ndjehemi krenarë dhe me identitet sportiv. Çdo moment i lojës së ekipit të Kombëtares së Kosovës është emocion i veçantë. Edhe minuta e nëntë që simbolizon numrin që e bartte Fadil Vokrri është e veçantë dhe mbetet histori”.

“Golat e Fadilit janë të papërsëritshme. Fadili mbetet i pazëvendësueshëm”.

(Kosova Sot Online )