Presidenti i Napolit, i shqetësuar për ndeshjen kundër Barcelonës në Champions

  • E.K /
  • 31 July 2020 - 10:57
Presidenti i Napolit, i shqetësuar për ndeshjen kundër Barcelonës në Champions

Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, e ka pranuar se ai është i shqetësuar që skuadra e tij do të duhet të udhëtojë në Spanjë për përballjen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, shkaku i rritjes së numrit të rasteve në Barcelonë.

Ndeshja e parë e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Napolit, që u zhvillua në shkurt në San Paolo, përfundoi me rezultat 1:1. Ndërsa, garat u ndërprenë para se të mundë të zhvillohej ndeshja kthyese.

Ndeshja kthyese tani është planifikuar të zhvillohet më 8 gusht në Camp Nou, prapa dyerve të mbyllura. Mirëpo, rastet me Covid-19 kanë pësuar ngritje në Barcelonë gjatë kohës së fundit dhe kjo po e shqetëson Napolin.

“Unë dëgjoj se ka shumë huti dhe frikë rreth ardhjes në Spanjë dhe ata po sillen sikur të mos ishte asgjë gabim. Çfarë duhet të ndodhë për të thënë që të mos zhvillohet ndeshja në Barcelonë, por në Portugali, Gjermani dhe Gjenevë”, ka thënë De Laurentiis.

Fazat e ardhshme të Ligës së Kampionëve, nga çerekfinalet, do të zhvillohen të gjitha në Lisbonë dhe nuk do të ketë ndeshje kthyese. 

(Kosova Sot Online)