Kimmich tregon kë do ta kishte votuar për Top të Artë

  • E.K /
  • 31 July 2020 - 11:08
Kimmich tregon kë do ta kishte votuar për Top të Artë

Joshua Kimmich beson se nëse Topi i Artë nuk do të ishte anuluar këtë vit, sulmuesi i Bayern Munichut, Robert Lewandowski, do të ishte përballur me konkurrencë të madhe nga mesfushori i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne.

Këtë vit Topin e Artë nuk do ta fitojë asnjë futbollist, pasi që organizatorët, France Football, vlerësuan se shkaku i pandemisë nuk kishte kushte mjaftueshëm të drejta për ta zgjedhur dikë për këtë çmim.

“Në rrethana të jashtëzakonshme, për herë të parë në historinë e vet, që filloi në vitin 1956, Ballon d’Or France Football nuk do të ndahet për vitin 2020 për shkak të mungesës së kushteve të drejta”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga France Football.

Ky lajm i ka zemëruar tifozët e Bayernit, të cilët besonin se Lewandowski e meritonte ta fitonte këtë çmim këtë vit. Bashkëlojtari i tij, Kimmich, e pranon se polaku do të kishte konkurrencë për këtë çmim.

“Natyrisht, si gjithmonë Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo do të garonin për këtë çmim”, ka thënë Kimmich.

“Për mua, mendoj se edhe Kevin De Bruyne e ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, kështu që ndoshta edhe ai”. 

(Kosova Sot Online)