Arteta: Finalja e FA Cup s’do të jetë e fundit për Aubameyangun në Arsenal

  • E.K /
  • 31 July 2020 - 11:57
Arteta: Finalja e FA Cup s’do të jetë e fundit për Aubameyangun në Arsenal

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, është i bindur se finalja e së shtunës në FA Cup nuk do të jetë ndeshja e fundit e sulmuesit Pierre-Emerick Aubameyang me fanellën e Arsenalit.

Kapiteni i Topçinjve, të cilit i ka mbetur vetëm edhe një vit në kontratë, do të shkojë në ndeshjen në stadiumin kombëtar Wembley, përderisa spekulimet rreth së ardhmes së tij po vazhdojnë.

Interi dhe Barcelona raportohet se po e monitorojnë nga afër situatën e tij, ndërsa shumë besojnë se Arsenali do të detyrohet ta shesë golashënuesin e vet më të mirë nëse humb kundër Chelseat të shtunën dhe dështon të kualifikohet në garat evropiane për herë të parë në 25 vjet.

Duke folur para finales së kupës, Arteta – i cili e ka shprehur edhe më parë bindjen se Aubameyangu do ta zgjasë kontratën me klubin – ka insistuar se ai nuk e mendon mundësinë që kjo të jetë ndeshja e fundit e Aubameyangut për Arsenalin.

“Jo, unë nuk po e mendoj atë mundësi”, ka thënë spanjolli, kur u pyet se a mund të jetë kjo ndeshje e fundit për Arsenalin për sulmuesin nga Gaboni.

“Mos harroni që ai ka ende kontratë me ne. Ne duam ta mbajmë atë dhe këtu dhe duam ta kemi për një periudhë më afatgjate. Por, për momentin ai është me ne dhe unë mendoj se ai duhet të jetë shumë krenar për aty ku është”. 

(Kosova Sot Online)