FIFA dënon Kukësin, reagon klubi shqiptar

  • E.K /
  • 31 July 2020 - 13:03
FIFA dënon Kukësin, reagon klubi shqiptar

FIFA i ka bllokuar merkaton klubit verlindor, Kukësit, pasi nuk ka shlyer borxhin ndaj futbollistit Filip Zderiç, i cili ka qenë pjesë e kësaj skuadre në gjatë pjesës së dytë të sezonit 2017-2018.

Lojtari në fjalë, i cili ka patur përplasje me klubin dhe është larguar para kohe, ka fituar gjyqin, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar Kukësit, që duhet t’i paguajë mbi 50 mijë euro në total, ku përfshihet paga (8 mijë euro në muaj dhe dëmshpërblimi).

Kukësi duhet t’i kishte mbyllur më herët llogaritë me këtë lojtar, për të mos rrezikuar dënimin (pezullim të merkatos në tri dritare), por ka vendosur ta çojë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, i bindur se do të dalë triumfues. Pas daljes së lajmit, erdhi dhe reagimi i klubit verilindor:

Kukësi kërkon të sqarojë opinionin sportiv në lidhje me një vendim të dhënë nga FIFA në muajin janar, ku është bllokuar merkatoja jonë për shkak të një ankimimi të ish-futbollistit tonë Filip Zderiç.

Është e vërtetë që në klub ka ardhur një vendim i tillë, mirëpo ky vendim është i pakuptimë dhe klubi ka marrë masat e nevojshme për ta çuar çështjen deri në fund. Ky vendim tashmë është në CAS dhe është pikërisht kjo gjykatë, ajo që do të thotë fjalën e fundit.

Klubi siguron se nga kjo çështje do të dalim të fituar, sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo çka pretendon futbollisti në fjalë.

Mbrojtësit i është komunikuar që të bashkohet me grupin në grumbullim, mirëpo futbollisti ka refuzuar dhe për pasojë klubi e ka dënuar duke e dërguar të stërvitet me Kukësin B (aktiv asokohe). Futbollisti nuk e ka marrë parasysh këtë dënim të klubit, duke u larguar nga Shqiperia e duke shkelur kontratën dhe njëkohësisht duke bërë një denoncim me pretendimin se nuk është paguar. Klubi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në CAS dhe tashmë jemi në pritje të vendimit për të fituar gjyqin! /SS

(Kosova Sot Online)