I vetmi që s’protestoi kundër racizmit, ylli i NBA arsyetohet duke thënë se është fetar

  • S.A /
  • 01 August 2020 - 09:53
I vetmi që s’protestoi kundër racizmit, ylli i NBA arsyetohet duke thënë se është fetar

Ylli i Orlando Magic, Jonathan Isaac, u bë lojtari i vetëm që nga rinisja e sezonit në NBA që nuk është gjunjëzuar dhe nuk e ka veshur bluzën me mbishkrimin Black Lives Matter  (Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi) dhe tani e ka arsyetuar këtë veprim të tij duke thënë se është fetar.

Drejtësia sociale ka qenë njëra ndër elementet më të rëndësishme të rinisjes së NBA, pasi basketbollistët janë shprehur të përkushtuar ta përdorin platformën e tyre për të sjellë ndryshim pozitiv.

NBA ua ka lejuar atyre këtë gjë, duke ia mundësuar të gjithëve të shkruajnë mesazhe kundër racizmit në fanellat e tyre në vend të emrave, ndërsa në fushë është shkruar fjalia Black Lives Matter. Gjatë dy ditëve të para të ndeshjeve, çdo skuadër është ulur në gjunjë gjatë intonimit të himnit dhe kanë veshur fanella me shkrimin Black Lives Matter, si shenjë proteste kundër racizmit dhe brutalitetit policor.

Megjithatë, vetëm një lojtar vendosi të mos i bashkohet kësaj proteste. Basketbollisti i Orlando Magic, Jonathan Isaac, as nuk u ul në gjunjë e as nuk veshi bluzë me mbishkrimin Black Lives Matter, duke vendosur që në vend të kësaj ta veshte fanellën e vet teksa qëndronte në këmbë. Pas ndeshjes, ai tregoi pse vendosi të vepronte kështu.

“Unë besoj se jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi. Kam menduar shumëçka para se ta merrja vendimin. Unë mendoj se gjunjëzimi dhe bluza me atë mbishkrim nuk shkojnë krah për krah me lëvizjen kundër racizmit”, tha Isaac.

“Unë besoj se jeta ime është përkrahur nga feja, nga Jezus Krishti dhe të gjithë ndërtohen në imazhin e Zotit kështu që të gjithë duhet të bashkohemi përmes lavdisë së Zotit”.

“Kur shikoni përreth, racizmi nuk është e vetmja gjë që po e lëndon shoqërinë tonë, vendin tonë, botën tonë. Mendoj se duhet të bashkohemi në mesazhin që duhet ta tejkalojmë çdo të keqe në shoqërinë tonë e jo vetëm racizmin. Mendoj se përgjigja e kësaj është ungjilli”.

(Kosova Sot Online )