Immobile mund të thyejë rekord historik sonte

  • E.K /
  • 01 August 2020 - 11:37
Immobile mund të thyejë rekord historik sonte

Ciro Immobile mund të shkruajë histori të shtunën në mbrëmje, pasi sulmuesi i Lazios mund ta fitojë Këpucën e Artë të Serisë A, Këpucën e Artë të Evropës dhe mund ta thyejë rekordin e të gjitha kohëve për gola të shënuara në një sezon të Serisë A.

Lazio do ta vizitojë Napolin në stadiumin San Paolo, ku Gonzalo Higuain kishte shkruar histori si futbollisti me më së shumti gola të shënuara në një sezon të vetëm të Serisë A në histori, me het-trikun e tij në maj të vitit 2016 kur e kishte arritur shifrën prej 36 golave.

Immobile shkon në këtë ndeshje me 35 gola të shënuara deri më tani këtë sezon, katër më shumë sesa Ronaldo, i cili mund edhe të pushohet për ndeshjen e sotshme të Juventusit, sipas deklaratave të fundit të trajnerit të bardhezinjve, Maurizio Sarrit.

Italiani Immobile jo vetëm që ka qenë golashënuesi më i mirë në ligën italiane, por asnjë futbollist s’ka arritur të shënojë më shumë sesa ai në asnjë ligë evropiane. Robert Leëandoëski i Bayernit ishte rivali i tij më i madh për Këpucën e Artë të Evropës, mirëpo tashmë Immobile e ka një gol më shumë sesa polaku.

I vetmi lojtar që mund t’ia marrë Immobiles Këpucën e Artë të Italisë dhe të Evropës mbetet Ronaldo, i cili megjithatë s’do ta ketë të lehtë ta bëjë këtë sepse do të duhej t’i shënonte të paktën pesë gola kundër Romës sonte.

Sa i përket rekordit si lojtari me më së shumti gola të shënuara në një sezon të Serisë A në histori, Immobiles i duhen dy gola sonte për ta thyer rekordin që ishte vendosur para katër vjetëve nga Higuaini.

(Kosova Sot Online)