Berisha dhe Zeneli kundër Vojvodës, tallen në Instagram

  • 01 August 2020 - 14:53
Berisha dhe Zeneli kundër Vojvodës, tallen në Instagram

Skuadra e Valon Berishës dhe Arbër Zenelit, Stade de Reims, do të përballet sot me Standard Liege, ku luan ylli tjetër i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda. Para kësaj ndeshjeje, tre futbollistët janë tallur në Instagram mes vete.

Belgjika dhe Franca ishin ndër ligat që vendosën ta përfundojnë para kohe sezonin shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë. Tani, klubet e të dyja ligave janë duke u përgatitur për sezonin e ri.

Në mesin e këtyre përgatitjeve parasezonale, të dyja klubet po zhvillojnë ndeshje miqësore. Sot në orën 15:00, Standard Liege do ta presë Stade de Reims.

Pasi që në këto dy ekipe luajnë tre futbollistët kosovarë, Arbër Zeneli, Mërgim Vojvoda dhe Valon Berisha, ata të tre kanë postuar në llogaritë e tyre në Instagram duke u tallur për përballjen mese vete.

Në videot e publikuara, Zeneli thotë se ata po e vizitojnë sot Vojvodën, të cilin e quan me nofkën “dajë”, ndërsa Berisha shkroi se Vojvoda duhet ta lërë Zenelin të shënojë sot. Vojvoda u përgjigj duke thënë se do t’ua tregon qejfin atyre.

Valon Berish sapo është transferuar në Stade de Reims dhe sot do të luajë përkrah disa fytyra të njohura për të, Zenelin dhe Vojvodën, në debutimin me klubin e ri. 

(Kosova Sot Online)