Duka: Shpresoj që nga shtatori tifozët do të kthehen në stadiume

  • S.A /
  • 03 August 2020 - 10:37
Duka: Shpresoj që nga shtatori tifozët do të kthehen në stadiume

Në fund të finales së Kupës së Shqipërisë në mikrofonin e Supersport u shfaq edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka i cili analizoi këtë sezon futbollistik duke nënvizuar se është i lutmur që u bë e mundur mbyllja e kampionatit dhe Kupës.

“Është një sezon i pazakontë, që pati ngjarje negative. Ishte tërmeti e më pas edhe pandemia, që ishte edhe më e dëmshme për futbollin. Rrezikohej mbyllja e sezonit. E konsideroj pozitive që i mbyllëm aktivitetet, siç ka ndodhur në ndonjë shtet tjetër”. “I falënderoj të gjithë, futbollistë, trajnerë, mjekë, ju gazetarët. Të gjithë bashkë e mbaruam këtë sezon, madje në një nivel të kënaqshëm sportiv. Tirana e Teuta i kanë merituar trofetë. Më vjen mirë që i marrin për 100-vjetorin e tyre. Kanë bërë futboll bindës. Më kënaq edhe fakti që te Teuta ka lojtarë të rinj që janë shpresa e futbollit shqiptar dhe durrsak”.

“Më ka pëlqyer solidariteti për futbollin, nga të gjithë. Kjo është gjëja e parë që më lë më shumë mbresa. Kërkesa për tifozë? Tani finalja mbaroi, por do ishte më mirë të kishte një numër të limituara. Kemi tentuar, duke parë edhe eksperiencën e vendeve të tjera.

Pamë Francën dhe u luajt në finale me 5 mijë tifozë. Do ishte më mirë të kishte tifozë. Edhe për ata nuk ka qenë e lehtë. Nuk u realizua, por shpresojmë të kthehemi në normalitet në shtator”, shtoi Duka.

Në fund foli edhe për kombëtaren shqiptare:  “Kemi ekipin më të mirë të të gjithë kohërave. Mund të bëjmë mirë në Nations League. Jemi pretendenti real për të qenë vendi i parë në grup”.

(Kosova Sot Online )