E pabesueshme: Conte ka javë që i pyet njerëzit brenda Juventusit për të ardhmen e Sarrit

  • S.A /
  • 03 August 2020 - 12:16
E pabesueshme: Conte ka javë që i pyet njerëzit brenda Juventusit për të ardhmen e Sarrit

rajneri i Interit, Antonio Conte, ka biseduar me menaxherët, lojtarët dhe ish-lojtarët e Juventusit tash e disa javë, duke i pyetur ata për të ardhmen e Maurizio Sarrit në klub.

Gazeta italiane La Repubblica raporton se trajneri i zikaltërve ka qenë në kontakt me ish-klubin e vet në javët e fundit dhe se kishte dashur me patjetër të kthehej në Torino vitin e kaluar, kur Pavel Nedved dhe Fabio Paratici u pajtuan por klubi doli kundër.

Sarri e fitoi titullin e parë në Serie A në sezonin e tij të parë në krye të Juventusit, por e humbi finalen e Kupës së Italisë kundër Napolit dhe, sipas mediave italiane, ai rrezikon ta humbasë punën nëse nuk e kalon Lyonin në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.

Gazzetta dello Sport shkruan se Antonio Conte asnjëherë nuk ia ka mbyllur derën Juventusit dhe në fjalimet e tij, ai gjithmonë e merr shembull modelin e shkëlqyer të bardhezinjve.

Ish-kapiteni i Juventusit Conte fitoi gjithçka me bardhezinjtë dhe e vuri gur themelin e dominimit të Juventusit në vitet e fundit.

Conte duhej ta festonte fitoren 2:0 ndaj Atalantas të shtunën mbrëma, e cila ia siguroi Interit vendin e dytë me 82 pikë, aq pikë sa i kishte fituar Interi i Jose Mourinhos në sezonin 2009/10.

Por ai e përdori konferencën e fundit për media në ligë për të hedhur kritika të ashpra ndaj hierarkisë së klubit, duke u ankuar se klubi nuk i mbrojti aspak lojtarët dhe trajnerin.

Mediat italiane, përfshirë Sky Sport Italia, Sport Mediaset, La Gazzetta dello Sport, Tuttosport dhe Corriere dello Sport, raportojnë se dëmi është i pariparueshëm.

(Kosova Sot Online )