Ylli anglez rrëfen përvojat e tij me racizmin: Më është bërë përditshmëri

  • S.A /
  • 04 August 2020 - 08:46
Ylli anglez rrëfen përvojat e tij me racizmin: Më është bërë përditshmëri

Mbrojtësi anglez i Tottenhamit, Danny Rose, i ka rrëfyer përvojat e tij me racizmin në Angli, të cilat thotë se i janë kthyer në përditshmëri dhe thotë se tani vetëm qesh kur ndodhin incidente të tilla.

Rose, i cili e mbylli sezonin 2019/20 të Premierligës i huazuar në Newcastle United nga Tottenhami, ka folur edhe në të kaluarën për thirrjet e veprimet raciste nëpër stadiume të futbollit, veçanërisht në ndeshjet e Anglisë në Serbi dhe Mal të Zi. Duke folur në emisionin The Second Captains, 30-vjeçari tha se tentimet e autoriteteve të futbollit për t’u përballur me incidente të tilla kanë qenë qesharake.

“Kur më ndodhin gjëra të tillë, vetëm e mendoj se nuk është hera e parë dhe e di se si duhet ta tejkaloj. Dikush merr një gjobë qesharake dhe pastaj vazhdon punën javën e ardhshme sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, ka thënë Rose.

“Por, kjo nuk ndodh vetëm në futboll. Unë u ndala nga policia javën e kaluar, gjë që ndodh vazhdimisht kur unë kthehem në Doncaster, nga ku vij. Çdo herë më pyesin se a është vetura e vjedhur, se ku e kam marrë dhe a mund ta vërtetoj që e kam blerë atë veturë dhe se ku po shkoj”.

“Këto gjëra më ndodhin vazhdimisht që kur kam qenë 18-vjeçar, që kur kam filluar të vozis. Çdo herë që ndodh, unë vetëm qesh sepse e di saktësisht se çfarë po ndodh”.

“Herën e fundit që isha në tren, i mora çantat dhe menjëherë erdhi një punëtore dhe më tha: “A e di se ky është klasi i parë”. Unë i thashë: “Po, edhe çka?”, ajo ma ktheu: “Epo, le të ta shoh biletën pra””.

“Unë ia tregova asaj biletën dhe, betohem se është e vërtetë, dy djem të bardhë erdhën pas meje dhe ajo nuk u tha asgjë. Unë e pyeta se a nuk do t’ia kontrollojë edhe atyre biletën dhe ajo më tha që s’ka nevojë ta bëjë atë gjë”.

“Njerëzit mund të mendojnë se kjo ishte vetëm rastësi, por kjo për mua është racizëm. Unë përballem me këtë lloj gjërash çdo ditë të jetën sime. Më është bërë përditshmëri tani”.

(Kosova Sot Online )