“Barcelona duhet të pavarësohet nga Messi

  • S.A /
  • 04 August 2020 - 11:11
“Barcelona duhet të pavarësohet nga Messi

Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Albert Ferrer, thotë se klubi katalonas varet më shumë sesa që duhet nga paraqitjet e Lionel Messit dhe i mungon cilësia në skuadër për të qenë konkurrentë të denjë në garat e mëdha të futbollit.

Barcelona dështoi në tentimin për ta fituar titullin e La Ligës këtë sezon, pasi Real Madridi u shpall kampion. Kjo është vetëm hera e dytë në gjashtë sezonet e fundit që Barcelona s’e fiton trofeun e ligës elitare të futbollit spanjoll.

Dështimi i këtij sezoni në ligë vjen pas disa dështimeve në garat evropiane, pasi Barcelona kishte pësuar eliminime tronditëse në dy edicionet e fundit të Ligës së Kampionëve, kundër Romës dhe Liverpoolit.

Edhe pse Barcelona mbetet ende në garë për titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, klubi katalonas nuk cilësohet favorit, përderisa edhe vetë Messi e ka theksuar se nëse nuk ndryshon diçka, atëherë Barcelona mund të eliminohet qysh para çerekfinaleve.

Argjentinasi u bë lojtari i parë në histori të La Ligës që i ka shënuar të paktën 20 gola dhe i ka bërë të paktën 20 asiste në një sezon të vetëm në ligë, pasi arriti ta mbyllë sezonin me 25 gola dhe 21 asiste.

Por, Ferrer thotë se Messit nuk do të ketë mundësi ta bëjë këtë përgjithmonë, edhe pse beson se argjentinasi do ta përfundojë karrierën në Barcelonës, përkundër spekulimeve për një transferim të tij në Inter.

“Nuk jam shumë i shqetësuar për mënyrën se si Leo po ndihet – ne presim që ai të jetë i zhgënjyer sepse ai është një fitues”, ka thënë Ferrer.

“Ai dëshiron të garojë për gjithçka dhe dëshiron ta fitojë Ligën e Kampionëve. Mendoj se ai do të jetë në Barcelonë deri kur të pensionohet. Ai e do shumë Barcelonën – edhe skuadrën e edhe klubin”.

“Është një situatë unike. Asnjë ekip tjetër s’mund të thotë se varet kaq shumë në një lojtar. Barcelona duhet të pavarësohet nga Leo Messi. Por, ai është ende më i miri dhe në momentin që ti ia jep topin, ai bën diçka me të”.

“Është një shenjë e mirë që Barcelona e ka ende Messin, por edhe lojtarët e tjerë duhet të luajnë më shumë, në mënyrë që të mos bëhet gjithçka përmes tij. Mund të jetë e vështirë të mbrohet Messi, por nganjëherë ai është i rrethuar nga kundërshtarët dhe skuadra duhet të ketë edhe opsione tjera”.

(Kosova Sot Online )