Karton i kuq për kollitje, rregullat e reja në futboll

  • S.A /
  • 04 August 2020 - 11:58
Karton i kuq për kollitje, rregullat e reja në futboll

Lojtarët që kolliten qëllimisht drejt lojtarëve të tjerë ose gjyqtarëve mund të ndëshkohen me karton të kuq, sipas rregullave të reja të miratuara nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), që është organi qeverisës i futbollit mbi FIFA-n dhe që i bën rregullat në futboll.

Përhapja e koronavirusit në botë ka bërë që disa rregulla në futboll të ndryshojnë, përderisa IFAB ka publikuar rregulla të reja dhe udhëzime për sjelljen gjatë ndeshjeve tani në mes të pandemisë.

Kollitja e qëllimshme drejt lojtarëve dhe gjyqtarëve tani është veprim i ndëshkueshëm me karton të kuq, pasi që IFAB ka vendosur që ky veprim të bjerë në kategorinë e “veprimeve ose gjuhës ofenduese apo abuzive”.

“Njëjtë si me të gjitha veprimet e tjera, gjyqtari duhet ta vlerësojë natyrën e vërtetë edhe të këtij veprimi”, thuhet në udhëzimin e IFAB.

“Nëse kollitja ishte qartësisht aksidentale, atëherë gjyqtari nuk duhet të ndërmarrë ndonjë veprim, ose nëse kollitja ndodhi gjatë kohës kur lojtarët kanë distancë të madhe mes vete”.

“Megjithatë, nëse lojtarët ishin mjaftueshëm afër sa të konsiderohet shkelje e rregullës, atëherë gjyqtari mund të ndërmarrë veprim”.

Edhe Federata e Futbollit e Anglisë e ka aprovuar këtë rregull, duke shkruar se nëse incidenti është mjaftueshëm i rëndë sa të meritohet ndëshkimi me karton të kuq, atëherë kjo cilësohet si sjellje josportive.

Megjithatë, Federata e Anglisë theksoi se gjyqtarët nuk duhet t’i ndëshkojnë lojtarët për kollitje të zakontë, por nëse është e qartë se ai veprim u bë me qëllim të keq ndaj dikujt tjetër.

(Kosova Sot Online )