Ylli i Lakers, pasi barazoi rekordin e Bryant: Ai po brohoret për ne nga lart

  • E.K /
  • 04 August 2020 - 15:22
Ylli i Lakers, pasi barazoi rekordin e Bryant: Ai po brohoret për ne nga lart

Anthony Davis u shpreh i emocionuar që arriti ta barazojë një rekord të vendosur nga Kobe Bryant në Los Angeles Lakers, përderisa shtoi se beson që legjenda e basketbollit është duke i shikuar ata nga lart dhe po brohoret për ish-klubin e tij.

Davis ka shfaqur formë mbresëlënëse që nga rinisja e sezonit 2019/20 të NBA , ndërsa së fundi i ndihmoi Lakers ta fitojë ndeshjen kundër Utah Jazz me 42 pikë dhe 12 kërcime, duke ia siguruar kështu edhe vendin e parë në tabelën e Konferencës së Perëndimit në NBA.

Ylli amerikan i kishte shënuar 24 pikë në dy çerekët e parë të ndeshjes, duke e arritur një statistikë të tillë për të 20-tën herë në sezonin e tij të parë në skuadrën e Los Angeles Lakers.

Lojtari i fundit që e kishte arritur një statistikë të tillë ishte Bryant, ikona e klubit që vdiq më 26 janar bashkë me vajzën e tij 13-vjeçare, Gianna, dhe shtatë persona të tjera, pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua.

“Ka domethënie të madhe për mua të jem në një kategori me të. Sapo m’u rrëqeth trupi, është e vështirë të flasësh për të”, ka thënë Davis.

“E di se ai po na shikon nga lart dhe po brohoret për ne. Ne thjesht duam ta arrijmë synimin tonë për nder të tij. Është nder për mua të përmendem përkrah emrit të tij”.

Davis më tutje e pranoi se asnjë lojtar, përveç LeBron James, nuk e kishte ditur se fitorja kundër Jazz do t’ia siguronte Lakers pozitën e parë në Konferencën e Perëndimit. 

(Kosova Sot Online)