Mourinho thotë se janë pajtuar me Casillasin

  • 05 August 2020 - 09:04
Mourinho thotë se janë pajtuar me Casillasin

Trajneri Jose Mourinho ka pretenduar se ai dhe Iker Casillas e kanë përmirësuar marrëdhënien mes tyre pasi dyshja kishte pasur përplasje të vazhdueshme gjatë kohës sa ishte në Real Madrid.

Iker Casillas e zyrtarizoi pensionimin e tij të martën pas një karrierë mbresëlënëse 22-vjeçare në futboll, gjatë së cilës ai fitoi trofe të shumta me klube dhe me ekipin kombëtar të Spanjës.

Mes çmimeve që ai i fitoi gjatë karrierës së tij janë dy Kampionate Evropiane dhe një Kupë e Botës me Spanjës dhe pesë tituj të La Ligës dhe tri të Ligës së Kampionëve me Real Madridin.

Gjatë fundit të karrierës së tij në Santiago Bernabeu, Mourinho dhe Casillas e kishin një marrëdhënie të tensionuar, pasi portugezi e kishte zëvendësuar spanjollin në portë me Diego Lopezin.

Pas disa përplasjeve me Casillasin, Sergio Ramosin dhe lojtarë të tjerë, Mourinho u largua nga Real Madridi në fund të sezonit 2012/13 për t’iu bashkuar sërish skuadrës së Chelseat.

Tani trajner i Tottenhamit, Mourinho ka pretenduar se ai dhe ish-portieri legjendar i Real Madridit janë pajtuar.

“Inteligjenca dhe pjekuria e tij kanë bërë që ne ta respektojmë gjithmonë njëri-tjetrin dhe tani, disa vite më vonë, ne kemi arritur ta kultivojmë një shoqëri të sinqertë”, ka thënë Mourinho.

“Ai është një portier historik i Real Madridit, Spanjës dhe botës së futbollit. Me të e fitova La Ligën dhe me të i pata disa momente të vështira për shkak të një vendimi tim profesional dhe asnjëherë personal për ta inkuadruar në lojë një lojtar tjetër”.

“Ai është një portier i mrekullueshëm dhe një burrë i mrekullueshëm”.

(Kosova Sot Online )