Man Unitedi paralajmëron Dortmundin për Sanchon

  • S.A /
  • 05 August 2020 - 09:07
Man Unitedi paralajmëron Dortmundin për Sanchon

Manchester Unitedi do të kërkojë lojtarë të tjerë gjatë këtij afati kalimtar të verës nëse nuk arrijnë marrëveshje me Borussia Dortmundin për çmimin e Jadon Sanchos, pas negociatave fillestare mes klubeve.

Sulmuesi anësor anglez mbetet ende prioritet për trajnerin Ole Gunnar Solskjaer këtë verë, mirëpo mediumet britanike raportojnë se klubi do të dorëzohet në tentimet për transferimin e tij nëse Dortmundi nuk i ul kërkesat për çmimin e tij.

Raportohet se klubi gjerman i dëshiron 120 milionë euro për ish-futbollistin e ri të Manchester Cityt, mirëpo Man Unitedi nuk është i gatshëm të paguajë shumë të tillë shkaku i ndikimit që ka pasur kriza e koronavirusit.

Sancho thuhet se tashmë ka arritur marrëveshje për kontratën e tij personale me Djajtë e Kuq, mirëpo bisedimet mes dy klubeve po vazhdojnë ende në tentim të arritjes së një marrëveshjeje.

Edhe vetë trajneri Solskjaer tha të martën në një konferencë për shtyp se klubi nuk do të ngutet për të transferuar lojtarë gjatë këtij afati kalimtar të verës.

“Ky afat kalimtar është i gjatë, çdo transferim e ka procesin e vet. Kështu janë këto gjëra”.

Sancho ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, jo vetëm Manchester Unitedit, shkaku i sezonit mbresëlënës që e ka pasur, me 17 gola të shënuara dhe 17 të asistuara në 32 ndeshje të zhvilluara këtë sezon.

(Kosova Sot Online  )