Feronikeli përforcohet nga porta e deri në kryesi të klubit

  • S.A /
  • 05 August 2020 - 12:39
Feronikeli përforcohet nga porta e deri në kryesi të klubit

Feronikeli e mbylli kampionatin pa Kupë e pa titull duke përfunduar në vendin e pestë të Superligës së Kosovës në futboll, ndonëse kampionatin e kishte nisur me ambicie shumë më të mëdha, për çka edhe kishte bërë investime të konsiderueshme.

Mirëpo, klubi nga Drenasi duket të mos jetë demoralizuar. Përkundrazi, “Nikli” po konsolidohet për sezonin e ardhshëm.

Klubi gjelbër e bardh i ka filluar ndryshimet që nga formacioni i parë e deri në kryesi.

Ragip Veseli është kthyer në klub për ta ushtruar detyrën e zëvendëspresidentit.

Kurse, posti i drejtorit të përgjithshëm i është besuar Artan Berishës, i cili ishte njëri ndër udhëheqësit më të lartë të Feronikelit para pak vitesh, kur ky klub ishte bërë shembullore për nga organizimi dhe suksesi. Ndërkohë, klubi e ka zgjedhur edhe çështjen e trajnerit. Afrim Tovërlanit i është vazhduar kontrata edhe për një sezon tjetër. Ai më moti ishte shpallur kampion me Feronikelin, ndërsa është kthyer në stadiumin “Rexhep Rexhepi” qe pesë muaj. Po ashtu, Feronikeli e ka nis edhe procesin e transferimeve të lojtarëve. Klubi ka nënshkruar kontratë me mesfushorin malazez, Marko Milickoviç. Po ashtu, në Drenas si përforcim ka ardhur edhe ish sulmuesi anësor i Gjilanit, i cili së fundmi ka luajtur në Shqipëri për Laçin, Bedri Greca.

Ndërkohë, Feronikeli pritet t’i mbajë pjesën më të madhe të lojtarëve, por edhe do t’i lirojë disa nga ta, emrat e të cilëve ende nuk i ka konfirmuar.

Skuadra nën drejtimin e Tovërlanit përgatitjet për sezonin e ri do t’i nis më 10 gusht.

(Kosova Sot Online )