Bonaventura i thotë lamtumirë Milanit me një mesazh prekës

  • E.K /
  • 05 August 2020 - 14:23
Bonaventura i thotë lamtumirë Milanit me një mesazh prekës

Giacomo Bonaventura e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Instagram për t’u përshëndetur me tifozët e klubit dhe për t’ia dhënë një lamtumirë të fundit Milanit, nga ku po largohet pas gjashtë sezoneve në San Siro.

Mesfushori 30-vjeçar u transferua te kuqezinjtë nga Atalanta në shtator të vitit 2014 dhe ka kontribuar me 35 gola dhe 30 asiste në 184 ndeshjet e tij për Milanin.

Kontrata e tij do të përfundojë në fund të sezonit aktual dhe Bonaventura tani është në kërkim të një klubi të ri, ku dëshiron ta zërë vendin e titullarit.

“Faleminderit, kam jetuar si në ëndërr. Vitet që i kalova në Milan ishin një përvojë e paharrueshme për mua”, shkroi Bonaventura në Instagram.

“Dua t’i falënderoj të gjithë njerëzit me të cilët e kam ndarë këtë aventurë fantastike – presidentët, trajnerët, menaxherët, bashkëlojtarët e mjekët”.

“Faleminderit të gjithë atyre që kanë punuar prapa skenave në Milanello, ata janë motori prapa Milanit. Falë tyre, ne ndihemi si në shtëpinë tonë çdo dite, sikur të ishim një familje”.

“Faleminderit tifozëve të Milanit, të cilët më kanë përkrahur gjithmonë, në momentet më të mirë dhe në ato më të vështira. Brohoritjet në San Siro janë të veçanta dhe të paharrueshme. Do të jeni gjithmonë në zemrën time”.

Bonaventura i bëri gjithsej 29 paraqitje gjatë këtij sezoni të Serisë A, mirëpo ishte titullar vetëm 13 herë dhe i shënoi tri gola gjithsej. 

(Kosova Sot Online)