Liga e Kampionëve: Merret vendimi për ndeshjen Barcelona – Napoli

  • A.P /
  • 05 August 2020 - 21:10
Liga e Kampionëve: Merret vendimi për ndeshjen Barcelona – Napoli

Ndeshja e Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Napolit do të zhvillohet në Camp Nou, megjithëse numri i të prekurve me Covid-19 është duke u rritur me të madhe.

Ndeshja e kthimit e 1/8 së finales është caktuar të luhet të shtunën në mbrëmje, me ndeshjen e parë në Itali që përfundoi baras 1:1.

Qeveria lokale në Katalonjë e ka dhënë dritën e gjelbër për zhvillimin e këtij takimi, duke thënë se kushtet e lejojnë.

“Ndeshja mund të zhvillohet siç është planifikuar. Gjendja këtë javë është më e mirë se javën e kaluar. Ndeshja mund të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura. Ne jemi duke e ndjekur protokollin e UEFA-s, i cili është shumë i rreptë. Vetëm 350 njerëz do të lejohen në stadium”, ka thënë qeveria lokale në Katalonjë.

Megjithatë, numri i të prekurve me koronavirus në Spanjë gjatë ditës së mërkurë është frikësues, pasi janë shënuar 1.772 raste pozitive.

Në Katalonjë edhe më keq, pasi sot janë shënuar 955 raste, krahasuar me 662 sa ishin dje.

(Kosova Sot Online)