Rooney befason me zgjedhjen mes Ronaldos dhe Messit

  • S.A /
  • 06 August 2020 - 10:02
Rooney befason me zgjedhjen mes Ronaldos dhe Messit

Wayne Rooney e kishte formuar një partneritet të rrezikshëm me Cristiano Ronaldon në sulmin e Manchester Unitedin, mirëpo ai së fundi tregoi se mendon që Lionel Messi është futbollisti më i mirë nga ata të dy.

Wayne Rooney dhe Cristiano Ronaldo kishin shkëlqyer gjatë kohës sa kishin qenë së bashku në Manchester United. Përkundër një zënke gjatë Kupës së Botës 2006, ata mbeten shokë ende.

E megjithatë, përkundër këtyre lidhjeve të tij me yllin e Juventusit, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve i Anglisë e ka pranuar se mendon që Lionel Messi është futbollist më i mirë, pasi e kishte parë talentin e argjentinasit në përballjet në Ligën e Kampionëve.

“Ronaldo nuk ishte edhe aq i përqendruar në gola kur filluam të luajmë së bashku, por ishte e vërejtshme që ai dëshironte vetëm të bëhej futbollisti më i mirë në botë”, shkroi Rooney në kolumnën e tij për Sunday Times.

“Ai ushtroi dhe ushtroi dhe pastaj filloi t’i tregonte ato aftësi edhe në fushë. Cristiano është bërë një golashënues i mrekullueshëm dhe ai dhe Messi janë ndoshta dy lojtarët më të mirë në histori të futbollit”.

“Ronaldo është i pamëshirshëm në 16-metërshin e kundërshtarit, është vrasës. Por, Messi do të të torturojë para se të të vrasë. Me Messin, ty thjesht të krijohet përshtypja që ai po argëtohet më shumë”.

“Ata të dy e kanë ngritur standardin për golashënues dhe nuk mendoj se ndokush do ta arrijë ndonjëherë nivelin e tyre”.

(Kosova Sot Online )