Trump: S’na intereson a na shikon, nëntori po vjen

  • S.A /
  • 06 August 2020 - 10:49
Trump: S’na intereson a na shikon, nëntori po vjen

Ylli i Los Angeles Lakers dhe NBA, LeBron James, i është kundërpërgjigjur presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pasi ky i fundit i kritikoi basketbollistët që po gjunjëzohen gjatë intonimit të himnit kombëtar dhe tha se nuk do të shikojë më ndeshje të NBA.

Drejtësia sociale ka qenë njëra ndër elementet më të rëndësishme të rinisjes së NBA, pasi basketbollistët janë shprehur të përkushtuar ta përdorin platformën e tyre për të sjellë ndryshim pozitiv. NBA ua ka mundësuar lojtarëve të shkruajnë mesazhe kundër racizmit në fanellat e tyre në vend të emrave.

Gjatë ndeshjeve të zhvilluara deri më tani çdo skuadër është ulur në gjunjë gjatë intonimit të himnit dhe kanë veshur fanella me shkrimin Black Lives Matter (në shqip: Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi), si shenjë proteste kundër racizmit dhe brutalitetit policor.

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i quajti të turpshme këto protesta të lojtarëve të NBA dhe tha se nuk do t’i shikojë në ndeshjet e NBA, përderisa shtoi se asnjë president në histori të vendit nuk ka bërë më shumë për njerëzit me ngjyrë në vend, “ndoshta me përjashtim të Abaraham Lincoln”.

Kur LeBron James u pyet për këtë deklaratë të Trump, ai tha: “A po tentoni të më bëni të qesh? Me të vërtetë nuk mendoj se komuniteti i basketbollit mërzitet pse ai nuk i shikon  ndeshjet. Vetëm këtë dua ta them”.

Megjithatë, James vendosi të vazhdojë tutje, duke sugjeruar që ata që duan të bëjnë ndryshim të vërtetë, duhet ta bëjnë këtë duke votuar në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor.

(Kosova Sot Online )