Paralajmërohen rivalët e Juventusit në Champions: Ronaldo, gati për një tjetër mrekulli

  • S.A /
  • 06 August 2020 - 12:38
Paralajmërohen rivalët e Juventusit në Champions: Ronaldo, gati për një tjetër mrekulli

Portieri Wojciech Szczesny i ka paralajmëruar rivalët e Juventusit në Ligën e Kampionëve se Cristiano Ronaldo është gati ta performojë një tjetër mrekulli në garën prestigjioze evropiane.

Bardhezinjtë po përgatiten për rinisjen e sezonit në Ligën e Kampionëve, të cilat do ta fillojnë me përballjen e së premtes kundër Lyonit në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Skuadra e Maurizio Sarrit e kishte humbur ndeshjen e parë kundër Lyonit me rezultat 1:0, mirëpo të gjithë në Juventus janë shprehur optimistë se mund ta përmbysin rezultatin në ndeshjen kthyese për të kaluar në çerekfinale.

Juventusi u përball me një sfidë të ngjashme në po të njëjtën fazë gjatë sezonit të kaluar, kur Atletico Madridi e kishte fituar ndeshjen e parë me epërsi prej dy golash.

Megjithatë, Ronaldo e kishte shpëtuar Juventusin me het-trikun e tij të shënuar në ndeshjen kthyese. Szczesny beson se pesë-herë fituesi i Topit të Artë dëshiron ta përsërisë një mrekulli të tillë sërish.

“Skuadrën e shoh të gatshme për këtë ndeshje. Jemi në një ambient të ngjashëm si vitin e kaluar, para ndeshjes kundër Atletico Madridit”, ka thënë portieri i Juventusit për Tuttosport.

“Ne mund ta arrijmë të njëjtën gjë këtë vit. Sërish het-trik nga Ronaldo? Askush në botë nuk ka dyshim se Cristiano mund ta bëjë këtë sërish.  Si zakonisht, ai e bën dallimin në momentet vendimtare dhe tani është gati ta performojë një tjetër mrekulli”.

“Ne po luajmë për një synim të rëndësishëm, nuk është e vështirë të motivohesh për këtë. Të gjithë jemi të përqendruar. Lyoni duket në formë, duket se është të luajë dhe do ta shohim kush do t’i arrijë çerekfinalet”.

(Kosova Sot Online )