Messi dhuron ndihma për mbi 50 mijë fëmijë në Siri

  • S.A /
  • 06 August 2020 - 13:18
Messi dhuron ndihma për mbi 50 mijë fëmijë në Siri

Fondacioni i Lionel Messit ka bashkëpunuar me organizatën bamirëse UNICEF për shpërndarjen e 50,360 pakove edukative për vajzat e djemtë e rinj në nëntë provinca të Sirisë.

Synimi i këtij bashkëpunimi mes fondacionit të yllit të Barcelonës dhe UNICEF-it është që ta bëj argëtues arsimimin për ta fëmijë dhe për të ndihmuar në zhvillimin e aftësive të tyre sociale.

Pakot e dërguara në nëntë provinca të Sirisë – Hasakah, Quneitra, Aleppo, Hama, Homs, Daraa, Deir ez-Zor, Sweida dhe Damascus – u përkasin tri llojeve: zhvillim i hershëm i fëmijëve, rekreative dhe shkollore.

Messi ka bashkëpunuar me UNICEF që nga viti 2004, duke i përkrahur projektet e tyre në Spanjë dhe Argjentinë dhe projekte të ndryshme të cilat i kanë në qendër nevojat e fëmijëve.

Në vitin 2008, ai e krijoi fondacionin Leo Messi, që bashkëpunon me disa institucione të ndryshme mjekësore dhe kulturore për t’iu dhënë fëmijëve në Argjentinë dhe Spanjë mundësi më të mirë në jetë.

Në anën tjetër, Lionel Messi i ishte bashkuar fushatës së bamirësisë për ta luftuar koronavirusin, duke i dhuruar një milion euro për blerjen e barnave dhe për kërkime në gjetjen e shërimit të kësaj pandemi në Barcelonë dhe në Argjentinë, në mars.

(Kosova Sot Online )