Premierliga vendos të mos i lejojë pesë zëvendësime sezonin e ardhshëm

  • E.K /
  • 06 August 2020 - 15:43
Premierliga vendos të mos i lejojë pesë zëvendësime sezonin e ardhshëm

Klubet e Premierligës kanë vendosur të kthehen te rregullat për lejimin e vetëm tre zëvendësimeve për ndeshje gjatë sezonit të ardhshëm 2020/21, përkundër që FIFA ua mundësoi që edhe sezonin e ardhshëm të vazhdojnë me nga pesë zëvendësime.

Kur futbollit anglez iu dha leja për ta rinisur sezonin në qershor, pas një pauze tremujore shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë, ndeshjet nisën me disa rregulla të reja, të cilat u vendosën për sigurinë e lojtarëve dhe stafit.

Gjatë ndeshjeve u vendos që të merren dy pushime për pije, nga një në secilën pjesë, ndërsa trajnerëve iu lejua t’i marrin me vete në skuadër nga 20 lojtarë për ndeshje.

Edhe numri i zëvendësimeve të lejuara për ndeshje u shtua nga tri në pesë, në tentim për ta minimizuar rrezikun e lëndimeve të lojtarëve gjatë këtij kalendari të ngarkuar.

Klubet e Premierligës kanë votuar kundër propozimit që të vazhdohet me nga pesë zëvendësime edhe për sezonin e ardhshëm, gjatë një takimi të aksionarëve dhe klubeve të enjten në mëngjes.

Gjatë këtij takimi, 11 nga 20 klubet e Premierligës votuan kundër propozimit për vazhdimin me pesë zëvendësime, që do të thotë se klubet do të kenë të drejtë t’i bëjnë vetëm nga tre zëvendësime sezonin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online)