Jones siguron veshët para meçit kundër Tysonit

  • S.A /
  • 07 August 2020 - 08:45
Jones siguron veshët para meçit kundër Tysonit

Roy Jones Jr raportohet se i ka siguruar veshët e tij para meçit të shumëpritur kundër Mike Tysonit në shtator, shkaku i shqetësimeve se Tyson mund t’ia kafshojë veshët, siç kishte bërë gjatë një meçi në vitin 1997.

54-vjeçari Mike Tyson do të kthehet në ringun e boksit për t’u përballur me legjendën tjetër të boksit, Roy Jones Jr, në një meç ekzibicioni në Los Angeles, më 12 shtator.

Tyson, 54-vjeçar, luftoi në ring për herë të fundit në mënyrë profesionale në vitin 2005, kur u mposht nga irlandezi Kevin McBride. Ajo ishte humbja e tij e gjashtë në 58 meçe në karrierë.

E përkundër që karriera e tij përfundoi me disfatë, ai njihet si njëri ndër legjendat e këtij sporti shkaku i karrierës së tij mbresëlënëse paraprakisht. Ndër momentet më të paharrueshme në karrierën e tij është meçi kundër Evander Holyfield, kur Tyson ia kishte kafshuar veshin rivalit.

Menaxheri i Jones Jr, Zsolt Barna, ka bërë të ditur se boksieri e ka parë të nevojshme t’i sigurojë veshët në rast se Tyson ia shqyen njërin prej tyre, shkaku i historisë së tij.

Mike Tyson dhe Roy Jones do të përballen në një meç tetë-rundësh dhe Komisioni Atletik Shtetëror i Kalifornisë ka sugjeruar se nokautet s’do të lejohen.

Jones, 51-vjeçar, nuk është futur në ring që prej se e rrahu Scott Sigmonin në shkurt të vitit 2018.

(Kosova Sot Online )