Sanchez tregon pse është i lumtur me largimin nga Man United

  • S.A /
  • 07 August 2020 - 09:30
Sanchez tregon pse është i lumtur me largimin nga Man United

Alexis Sanchez sqaroi pse ai është “shumë, shumë i lumtur” që u largua në formë permanente nga Manchester Unitedi për t’iu bashkuar Interin, duke thënë se është i uritur të fitojë trofe.

Kiliani Alexis Sanchez e kaloi këtë sezon i huazuar te gjiganti italian dhe ditë më parë, Interi dhe Unitedi ranë në ujdi për kalimin e sulmuesit kilian te kjo e para.

Sanchez e ka shijuar një sezon mbresëlënës, përkundër që pati probleme me lëndime, si i huazuar në skuadrën e Antonio Contes. Ai i ka shënuar katër gola në 29 paraqitjet e tij këtë sezon.

Në anën tjetër, ish-sulmuesi i Barcelonës s’kishte arritur ta dëshmonte veten gjatë kohës sa ishte me Djajtë e Kuq në Old Trafford, duke i regjistruar vetëm pesë gola në 45 paraqitjet për Unitedin.

“Përshëndetje për tifozët e Interit. Jam shumë, shumë i lumtur që po qëndroj këtu me ju”, ka thënë Sanchez, në një video të publikuar në faqen zyrtare të zikaltërve.

“Mendoj se e kam pasur dëshirën për të qëndruar këtu sepse e kam gjetur një familje dhe të gjithë këtu duan të luftojmë dhe të fitojnë diçka për këtë klub”.

“Unë jam i uritur dhe dua të fitoj diçka, kështu që për këtë arsye jam i lumtur që po qëndroj këtu me ju për të fituar diçka”.

Dhe të enjten, Interi njoftoi se Sanchez ka nënshkruar kontratë me zikaltrit e cila do ta mbajë atë në San Siro deri më 2023. Sanchez pritet të ketë pagë vjetore në vlerë 7 milionë euro.

(Kosova Sot Online )