Drita negative në Covid-19, shkon pozitive në Champions

  • S.A /
  • 07 August 2020 - 11:36
Drita negative në Covid-19, shkon pozitive në Champions

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, të premten udhëtoi drejt Zvicrës, për të marrë pjesë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve. Skuadra nga Gjilani të shtunën prej orës 18:00 në Nyon do të përballet me kampionin e Andorës, Inter d’Escaldes. Fituesi i kësaj ndeshje do të takohet të martën me fituesin e çiftit tjetër, Tre Fiori nga San Marino dhe Linfieldit nga Irlanda e Veriut. Fituesi i këtij grupi preliminar do të kualifikohet tutje.

Bardhekaltrit nga Gjilani para se të niseshin drejt Zvicrës iu janë nënshtruar testeve për Covid-19 në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Kjo procedurë nuk ishte e lehtë për t’u kaluar nga gjilanasit pasi 17 futbollistë kanë qenë të detyruar t’iu nënshtrohen dy herë testeve shkaku i një komplikimi në këtë proces.

Për Dritën i lehtë nuk ishte as procesi i pajisjes me viza pasi që njërit prej lojtarëve i është refuzuar kërkesa për vizë, raporton Gazeta Express.

Olti Mehmetit i është refuzuar kërkesa për vizë dhe ndeshjet e Dritës do t’i përcjell përmes ekranit televiziv.

Ekspedita e Dritës është nisur drejt Zvicrës nga aeroporti “Adem Jashari” duke i respektuar masat për mbrojtje nga koronavirusi.

Ndeshjet e kësaj faze të Championsit në Nyon do të zhvillohen pa praninë e publikut shkaku i pandemisë.

Drita shihet favorite karshi kampionit  të Andorës, i cili në shtetin e vet ka përfunduar nën dyshimin për kurdisje nga autoritetet e atjeshme, kanë bërë të ditur mediat e Andorës.

(Kosova Sot Online )