Rivaldo paralajmëron Setienin: Vetëm Liga e Kampionëve mund të të shpëtojë

  • S.A /
  • 08 August 2020 - 16:37
Rivaldo paralajmëron Setienin: Vetëm Liga e Kampionëve mund të të shpëtojë

Legjenda e Barcelonës, Rivaldo, e ka paralajmëruar trajnerin Quique Setien se do ta pësojë të njëjtin fat si Maurizio Sarri – që u shkarkua pas eliminimit të së premtes të Juventusit nga Liga e Kampionëve – nëse nuk e fiton trofeun e garës prestigjioze evropiane.

Quique Setien e zëvendësoi Ernesto Valverden në postin e trajnerit në janar, mirëpo është përballur vazhdimisht me pyetje dhe dyshime lidhur me të ardhmen e tij në Camp Nou.

61-vjeçari, që nënshkroi marrëveshje dyvjeçare e gjysmë në Camp Nou, insistoi muajin e kaluar, para se Real Madridi ta fitonte titullin e kampionit të La Ligës, se ai nuk e harxhon asnjë minutë duke menduar se mund ta humbë punën si trajner i katalonasve.

Të shtunën në mbrëmje, Barcelona dhe Napoli do të luftojnë me njëri-tjetrin për një vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve të shtunën në Camp Nou, pasi që ndeshja e parë, e zhvilluar në shkurt, përfundoi me barazim 1:1.

Rivaldo beson se vetëm Liga e Kampionëve mund t’ia shpëtojë vendin e punës Setienit, skuadra e së cilit ka shfaqur probleme të shumta gjatë këtij sezoni.

“Është e vështirë të shkosh në një klub në mes të sezonit. Largimi i Valverdes ishte i vështirë për klubin dhe kjo nuk është e lehtë as për trajnerin”, ka thënë Rivaldo.

“Ata nuk po luajnë futboll ashtu siç luanin më parë. Mendoj se do ta ndërrojnë trajnerin nëse nuk kalojnë tutje në garë”.

(Kosova Sot Online )