Shkarkimi i Sarrit i kushtoi Juventusit 20 milionë euro

  • A.P /
  • 08 gusht 2020 - 17:34
Shkarkimi i Sarrit i kushtoi Juventusit 20 milionë euro

Juventusi e ka shkarkuar trajnerin e vet për të dytin sezon radhazi – vitin e kaluar Massimiliano Allegrin, këtë vit Maurizio Sarrin – përkundër triumfit në Serie A, shkaku i dështimeve në Ligën e Kampionëve. Tani është bërë e ditur se shkarkimi i Sarrit do t’u kushtojë bardhezinjve 20 milionë euro.

Pasi Massimiliano Allegri u shkarkua vitin e kaluar, pasi ishte bërë trajneri i parë në histori që kishte arritur ta fitojë titullin e Serisë pesë vjet radhazi, të njëjtin fat e ka pësuar këtë sezon edhe zëvendësuesi i tij, Maurizio Sarri.

Përderisa Allegrit i kishte mbetur edhe një vit në kontratën e tij, që do të thotë se Juventusi u desh t’ia paguante pagën vetëm edhe për një vit, situata qëndron më ndryshe në rastin e Sarrit.

Strategu italian nënshkroi kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2022 me pagë prej 5.5 milionë eurosh në sezon pas pagimit të taksave, kur e la Chelsean për të ardhur në Allianz Stadium.

Pasi Sarri është shkarkuar dhe nuk thuhet se është arritur marrëveshje e dyanshme për ndarje, atëherë Juventusi do të duhet t’i paguajë atij 11 milionë eurot pas pagimit të taksave për dy sezonet e mbetura, që sipas ligjeve në Itali i bie që Juventusi duhet t’i paguajë 20 milionë euro.

I gjithë stafi i Sarrit është shkarkuar gjithashtu, si pjesë e një ndryshimi të madh që dëshirojnë ta sjellin një klub drejtuesit e Juventusit. 

(Kosova Sot Online)