Kuzma, heroi i papritur i Lakers kundër Nuggets

  • S.A /
  • 11 August 2020 - 09:27
Kuzma, heroi i papritur i Lakers kundër Nuggets

Trepikëshi i Kyle Kuzmas kur kishin mbetur vetëm edhe 0.4 sekonda lojë ia dhanë Los Angeles Lakers fitoren me rezultat 124:121 kundër Denver Nuggets në Orlando, ku po zhvillohet sezoni i NBA nën kushte izolimi nga pjesa tjetër e botës, shkaku i virusit Covid-19.

LeBron James kontribuoi me 29 pikë dhe 12 asiste te Lakers, që i dhanë fund ecurisë prej tri humbjeve radhazi. Anthony Davis e mbylli ndeshjen me 27u pikë, ndërsa Kuzma kontribuoi me 25.

Rezervisti PJ Dozier i regjistroi 18 pikë për Nuggets, tetë lojtarë të të cilëve regjistruan numra dyshifrorë për pikë të shënuara. Nuggets i pushuan startuesit për pjesën më të madhe të çerekut të katërt dhe humbja i lë ata vetëm 1 ndeshje gjysmë prapa Los Angeles Clipper për pozitën  e dytë në Konferencën e Perëndimit, dy ndeshje para fundit të sezonit të rregullt. Dy skuadrat do të takohen të mërkurën.

Toronto Raptors 114 – Milwaukee Bucks 106

Chris Boucher theu rekord personal në karrierë me 25 pikët e tij dhe 11 kërcimet, ndërsa Toronto e mposhti Milwaukeen për herë të parë këtë sezon, në ndeshjen ky të dyja klubet luajtën pa lojtarët kryesorë.

Matt Thomas gjithashtu theu rekord personal me 22 pikët e tij për Raptors, ndërsa Norman Powell e mbylli ndeshjen me 21 pikë dhe tetë kërcime. Pascal Siakam i shtoi 14 pikë për Toronton.

Në anën tjetër, Kyle Korver kontribuoi me 19 pikë për Milwaukeen, Khris Middleton i kishte 17, ndërsa George Hill e mbylli ndeshjen me 14.

Phoenix Suns 128 – Oklahoma City Thunder 101

Devin Booker i shënoi 35 pikë dhe Phoenix e vazhdoi ecurinë befasuese të ndeshjeve pa pësuar disfatë që nga rinisja e sezonit, duke e mposhtur këtë herë Oklahoman.

Booker, që pushoi në çerekun e katërt, e regjistroi ndeshjen e 90-të në karrierë me 30 pikë ose më shumë të shënuara, duke e barazuar kështu rekordin e Walter Davis për më së shumti ndeshje të tilla në histori të klubit.

Darius Bazley ishte më i miri te Thunder me 22 pikë dhe 10 kërcime. Kontributi i tij s’mjaftoi për ta shmangur humbjen, që megjithatë s’i prish punë Oklahomas që tashmë e ka siguruar një vend në fazën play-offs.

Dallas Mavericks 122 – Utah Jazz 114

Tim Hardaway Jr e drejtoi skuadrën e Dallasit me 27 pikët e tij dhe me ndihmën e 22 pikëve të Seth Curryt drejt fitores kundër Utah.

Boban Marjanovic i shtoi 20 pikë dhe nëntë kërcime, ndërsa J.J. Barea kontribuoi me 18 të tjera për Mavericks, që në këtë ndeshje arritën një përmbysje mbresëlënëse të rezultatit, pasi që në një pikë ishin 22 pikë në deficit.

Jordan Clarkson i shënoi 18 pikë për Utah, ndërsa Rayjon Tucker kontribuoi me 17, Emmanuel Mudiay me 14 dhe Georges Niang me 13. Kjo është ndeshja e dytë radhazi që Jazz e humb epërsinë dyshifrore afër fundit të ndeshjes dhe pëson disfatë.

Miami Heat 114 – Indiana Pacers 92

Jimmy Butler, që u kthye nga mungesa në tri ndeshjet e fundit, e mbylli ndeshjen me 19 pikë, 11 kërcime dhe katër vjedhje për t’ia dhënë Miamit fitoren kundër Indianas dhe vendin e katërt në Konferencën e Lindjes.

Butler, i cili kontribuoi edhe me pesë asiste në 29 minuta lojë, kishte munguar shkaku i një problemi në këmbën e djathtë. Ekipet ishin baras pas pjesës së parë, por Heat u shkëput për 18 pikë në çerekun e tretë dhe arriti ta marrë një fitoren në kontroll më tutje, duke e neutralizuar T.J. Warrenin.Warren hyri në ndeshjen e së hënës si koshashënuesi më i mirë i ligës që nga rinisja e sezonit, duke i shënuar mesatarisht 34.8 pikë në 60.5 për qind saktësi të gjuajtjeve për dy dhe trepikësh. Megjithatë, Miami e izoloi atë në vetëm 12 pikë dhe Victor Oladipo ishte më i miri te Pacers me 14 pikët e tij.

(Kosova Sot Online)