Shpresat e Prishtinës për titull te “ujqit e vjetër”

  • S.A /
  • 11 August 2020 - 13:56
Shpresat e Prishtinës për titull te “ujqit e vjetër”

Behar Maliqi dhe Besnik Krasniqi ishin ndër më të dalluarit të një gjenerate fantastike të FC Prishtinës në periudhën e pasluftën. Të dy ata kishin luajtur për pesë vjet në stadiumin “Fadil Vokrri” – nga viti 2008 deri në vitin 20213. Me ta klubi më i madh kosovar i kishte fituar gjithçka. Madje, nga tre tituj të kampionit. Nga atëherë Prishtina nuk e ka shijuar këtë trofe. Etja për titull e ka shtyrë Prishtinën t’i kthejë në skuadër dy “ujqit e vjetër”. Me Maliqin 33-vjeç dhe Krasniqin 30-vjeç bardhekaltrit shpresojnë që në fund të edicionin të radhës ta kthejnë titullin në kryeqytet, të cilin “Plisat” po e presin qe shtatë vjet.

Tashmë kanë kaluar shtatë edicione kampionale në Superligën e Kosovës në futboll, ndërsa FC Prishtina nuk ka arritur dot që ta fitojë titullin e kampionit të Kosovës.

Përkundër investimeve të mëdha gjatë gjithë këtyre viteve, duke angazhuar futbollistë e trajnerë të nivelit të lartë, bardhekaltrit assesi nuk ia kanë dal ta çojnë lartë trofeun më të çmueshëm.

Prishtinasit i kujtojnë me endje edicionet 2007-08 dhe 2008-09, kur dy herë rresht ishin shpallur kampionë, për ta vazhduar pastaj “agjërimin” shtatëvjeçar.

Tri Kupa të fituara dhe tri kualifikime në Ligën e Evropës gjatë gjithë këtyre viteve duket të jenë të pamjaftueshme për Prishtinën e etur për titull të kampionit.

Sidoqoftë, bardhekaltrit nuk jenë dorëzuar. Dëshpërimi pas secilit edicion rezulton të jetë momental. Ndërsa shikimin e kanë përpara. Kah i njëjti objektiv – titulli kampion.

Në mes etjes për titull dhe krenarisë nga e kaluara klubi dhe tifozët kujtojnë edhe ish futbollistët që i kishin sjell tituj duke lënë emrat e tyre në historinë e madhe të klubit bardh e kaltër. Disa nga ata lojtarë ende janë pjesë e futbollit aktiv, ndonëse i kanë kaluar të 30-at.

Nga atëherë ata lojtarë kanë kaluar nëpër shumë klube tjera, por gjithnjë duke e kujtuar të kaluarën fantastike te Prishtina. Njësoj siç ka bërë Prishtina, duke transferuar dhjetëra futbollistë të shtrenjtë, por që gjatë këtyre shtatë vjetëve nuk kanë arritur ta sjellin trofeun që mezi po e pret çdo prishtinas.

Gazeta Express raporton se Behar Maliqi dhe Besnik Krasniqi ishin pjesë të Prishtinës nga viti 2008 deri në vitin 2013. Me ta, dhe një gjeneratë fantastike, Prishtina i kishte fituar nga tre tituj të kampionit dhe nga tri Kupa. Po ashtu Superkupa.

Pas paraqitjeve briliante te Prishtina, lojtarët kryesorë të asaj gjenerate, ishin transferuar në kampionatin shqiptar. Përfshirë këtu edhe Maliqin e Krasniqin, që iu kishin bashkuar fillimisht Partizanit, për të kaluar pastaj nëpër ekipe tjera shqiptare dhe kosovare. Dhe, forma e qëndrueshme e tyre në vazhdimësi ka bërë që Prishtina t’i kthejë shpresat pikërisht te ata për edicionin e ri, i cili do të nis në shtator.

Një lojtar i madh i dal në Evropë nga Prishtina, si Armend Dallku, tani është trajner. Ai ndihmohet nga ish shoku i skuadrës, Debatik Curri. Po ashtu, nga ish portieri legjendar, Ahmet Beselica. Ndërsa, ekipit për fushën e blertë tani i janë kthyer pikërisht Maliqi e Krasniqi, të cilët viteve të fundit shfaqën formë të lartë në kampionatin kosovar.

Maliqi, 33-vjeç, i ka fituar gjithsej pesë tituj të kampionit në Kosovë. Tre me Prishtinën. Së fundmi luajti për Llapin, të cilin e la për t’iu kthyer stadiumit “Fadil Vokrri”.

 “Prishtina nuk e pati fare të vështirë të bind ish-kapitenin e saj, edhe pse tani 33 vjeç, shumë i duhur për skuadrën, Behar Maliqi. Mentaliteti i tij i çeliktë, vullneti i madh, motivimi sportiv – të gjitha këto cilësi të Beharit i duhen tani skuadrës sonë”, thuhej në ueb faqen e FC Prishtinës kur njoftoi për transferimin e mesfushorit nga Podujeva në kryeqytet.

E vet Maliqi thekson se ka ardhur te Prishtina ekskluzivisht që ta ndihmojë në sezonin e ri për ta shuar etjen – ta fitojë titullin e kampionit.

“Është kënaqësi e madhe për mua të kthehem në klubin ku jam formuar si lojtar. Falënderoj udhëheqjen e klubit dhe trajnerët për besimin që kanë te unë. Shpresoj që ky vit të jetë i Prishtinës dhe t’i arrijmë qëllimet që i kemi”, ka thënë Maliqi.

Me nostalgji klubi më i madh këto ditë prezantoi edhe Krasniqin, 30-vjeç. “Pas shtatë vitesh, 30 vjeçari, Besnik Krasniqi sërish kthehet në shtëpi. Fëmija i Prishtinës i cili me bardhekaltrit për pesë vite, nga edicioni 2008 – 2013, kishte fituar gjithçka me Prishtinën, të gjitha! Tre tituj kampioni, një kupë dhe dy Superkupa duke u paraqitur në 137 ndeshje zyrtare dhe duke shënuar 16 gola, sidomos edicioni i fundit më 2012/13 ishte i jashtëzakonshëm, golashënuesi i dytë i skuadrës me 14 gola dhe “kurora e dyfishtë”, e vetmja në histori të klubit”, potencon ueb faqja zyrtare e klubit.

E vet Krasniqi u kthye në kryeqytet nga Ballkani i Suharekës  me një premtim të madh për “Plisat”. “Jam kthyer në klubin ku u rrita dhe fillova karrierën profesionale. Iu premtoj të gjithëve që do të jap më të mirën nga vetja për klubin e qytetit tim”, ka thënë Krasniqi.

Feronikeli dhe Drita e kanë dominuar futbollin kosovar në këto 5-6 vjetët e fundit me nga dy tituj të kampionit. Përvoja e lojtarëve të tyre vlerësohet nga ekspertët si diçka vendimtare në sukseset e tyre. Mbetet të shihet në sezonin e ri nëse përvoja e Maliqit e Krasniqit do ta ndihmojë Prishtinën që ta kthejë titullin e kampionit në kryeqytet pas shtatë vitesh.

(Kosova Sot Online )