Ferdinand – Unitedit: Shkoni e merreni Sanchon, është kaq e thjeshtë

  • S.A /
  • 11 August 2020 - 14:06
Ferdinand – Unitedit: Shkoni e merreni Sanchon, është kaq e thjeshtë

Legjenda e Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, beson se Djajtë e Kuq do ta bënin një gabim të madh nëse nuk do ta transferonin Jadon Sanchon nga Borussia Dortmundi këtë verë, pasi sugjeroi se futbollisti mund të bëhet më i miri në botë gjatë dekadës së ardhshme.

Jadon Sancho është bërë prioriteti numër një për trajnerin Ole Gunnar Solskjaer këtë verë, pasi që Manchester Unitedi dhe Borussia Dortmundi kanë qenë duke e negociuar të ardhmen e tij gjatë javëve të fundit. Megjithatë, Dortmundi e caktoi datën 10 gusht si afatin e fundit për Manchester Unitedin për ta kompletuar transferimin e 20-vjeçarit, pasi që gjiganti gjerman më këtë datë e nisi kampin parasezonal në Zvicër.

Sancho ishte pjesë e skuadrës së Lucien Favre që udhëtoi drejt Zvicrës për përgatitjet parasezonale dhe pasi marrëveshja mes dy klubeve nuk u arrit, drejtori sportiv Michael Zorc sugjeroi të hënën se shpresat e Unitedit për transferimin e Sanchos kanë marrë fund.

Por, Ferdinand insiston se Manchester Unitedi nuk duhet të dorëzohet sepse për Sanchon thotë se ia vlen të shpenzohen aq shumë para sa po kërkon Dortmundi, 100 deri në 120 milionë euro.

“Nëse e ke mundësinë ta transferosh një lojtar që e ka potencialin të bëhet më i miri në botë në dhjetë vjetët e ardhshme dhe ka qenë adoleshenti më i mirë në botë në dy vjetët e fundit, atëherë shkoni dhe merreni. Me të vërtetë është kaq e thjeshtë”, ka thënë Ferdinand.

“Ne të gjithë e kemi parë sa i mirë është ai dhe vetëm mund ta paramendojmë sa i madh do të bëhej në një klub si Manchester Unitedi. Do të ishin duke e blerë në një moshë ku mund të merrni edhe dhjetë vjet shërbim nga ai dhe nëse do të jetë po aq i mirë sa mendoj unë që do të jetë, atëherë do të jetë një transferim shumë i mirë për Unitedin”.

Megjithatë, media të shumta britanike raportojnë se Manchester Unitedi nuk do të dorëzohet për transferimin e talentit anglez, përkundër që është i irrituar me ngadalësinë me të cilën po shkojnë negociatat, që, sipas kërkesës së Dortmundit, po menaxhohen nga një agjent i pavarur.

Edhe Sancho raportohet të jetë i interesuar për një transferim në Old Trafford dhe mediumet e mëdha evropiane raportojnë se për transferimin e tij nuk është pengesë marrëveshja mes lojtarit dhe Djajve të Kuq, por vetëm mes këtyre të fundit dhe klubit gjerman.

(Kosova Sot Online  )