Real Madridi vendos, e kthen Odeagaardin nga Sociedadi

  • S.A /
  • 11 August 2020 - 14:14
Real Madridi vendos, e kthen Odeagaardin nga Sociedadi

Marrëveshja për huazimin e Martin Odegaardit në Real Sociedad ishte e vlefshme për dy sezone, mirëpo bordi drejtues i Real Madridit ka vendosur ta kthejë mesfushorin në skuadër, shkaku i kërkesës së trajnerit Zinedine Zidane.

E përditshmja spanjolle AS raporton se Real Madridi tashmë e ka informuar Real Sociedadin se planifikon ta kthejë Martin Odegaardin në skuadër një vit para se t’i përfundojë periudha dyvjeçare e huazimit.

Vendimi është marrë nga bordi drejtues i klubit pas kërkesës së Zinedine Zidane për ta kthyer në skuadër 21-vjeçarin, i cili ka shkëlqyer këtë sezon në La Liga.

Real Sociedadi kishte shpresuar se Odegaard do të mbetet në skuadrën e tyre edhe për një sezon tjetër, sipas marrëveshjes fillestare të arritur me Real Madridin.

Megjithatë, tani situata ka ndryshuar dhe duket se Odegaard do ta ketë të pamundur të luajë për bardhekaltrit edhe në finalen e Kupës së Mbretit, ku i ndihmoi të arrinte para ndërprerjes së sezonit shkaku i koronavirusit.

Odegaard i ka shënuar shtatë gola dhe i ka bërë nëntë asiste në 38 ndeshjet e këtij sezoni në La Liga dhe Kupë të Mbretit.

(Kosova Sot Online )