“Lewandowski është më i miri, është pasardhësi i Messit”

  • S.A /
  • 11 August 2020 - 14:17
“Lewandowski është më i miri, është pasardhësi i Messit”

Legjenda e Bayern Munichut, Lothar Matthaus, beson se Robert Lewandowski është tani futbollisti më i mirë në botë, duke e lënë prapa vetes Lionel Messin. Matthaus gjithashtu e përshkroi sulmuesin polak të bavarezëve si pasardhësin e yllit të Barcelonës.

Robert Lewandowski e arriti shifrën prej 53 golave të shënuara në 44 ndeshje të zhvilluara pasi i shënuar dy gola në fitoren me rezultat 4:1 kundër Chelseat në Ligën e Kampionëve, ku i asistoi dy golat e tjera.

Fitorja me rezultat të përgjithshëm 7:1 kundër Chelseat bëri që skuadra e Hansi Flick të kalojë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku tani do të përballet me Barcelonën.

Blaugranët e mposhtën Napolin me rezultat 3:1 në ndeshjen kthyese në Camp Nou për ta siguruar një vend në çerekfinale, ndërsa Messi ishte në qendër të vëmendjes shkaku i një goli të bukur individual që e shënoi në atë ndeshje.

Argjentinasi shtatshkurtër konsiderohet futbollisti më i mirë në histori nga shumë tifozë të futbollit dhe ai theu rekord vitin e kaluar, duke e fituar Topin e Artë për herë të gjashtë në histori. Megjithatë, Matthaus beson se Lewandowski tashmë e ka kaluar 33-vjeçarin në listën e lojtarëve më të mirë në botë.

“Messi përballet me pasardhësin e tij për epitetin e lojtarit më të mirë në botë, Robert Lewandowskin. Ai është lojtari më i mirë në botë e jo vetëm sulmuesi më i mirë në botë”, ka thënë Matthaus.

“Barcelona e sotshme nuk është më e njëjtë si më parë. Ata e kanë Messin, natyrisht. Një lojtar si ai është gjithmonë në gjendje të bëjë diçka gjeniale”.

“Por, ai vetëm nuk mund të mjaftojë për këtë ndeshje kundër këtij Bayerni. Barcelona nuk më frikëson”.

(Kosova Sot Online )