Skenarët që mund të ndodhin me Dritën, i parashikon gazetari britanik

  • A.P /
  • 11 August 2020 - 21:32
Skenarët që mund të ndodhin me Dritën, i parashikon gazetari britanik

Gazetari britanik, Brian McNally ka bërë të ditur se skuadra irlandeze e Linfield, duket të jetë shumë afër kualifikimit tutje në Ligën e Kampionëve.

Takimi i paraparë të luhej sot, ndërmjet kampionit të Kosovës, Dritës dhe klubit nga Irlanda e Veriut, Linfield, është anuluar shkaku i futbollistëve të Dritës që rezultuan pozitivë me COVID-19, transmeton Insporti. Sipas raportimeve të fundit, skuadra irlandezo-veriore që tani mund të konsiderohet se është në raundin e parë të kualifikimeve për në Ligën e Kampionëve.

Drita e Linfield, parashihej që të përballeshin në finale të raundit parakualifikues, dhe fituesi do të siguronte biletën për në raundin e parë kualifikues.

Por, sipas gazetarit McNally nga Sunday Mirror, në rast se ndeshja nuk do të zhvillohet këtë javë, atëherë Drita do të humbë ndeshjen në tavolinë, 3:0.

Ndërkaq, ende nuk është marrë një vendim nga UEFA rreth kësaj çështjeje, nëse do të ketë datë tjetër apo jo për zhvillim të ndeshjes.

Kjo çështje tani do t’i paraqitet Organit të Kontrollit dhe Disiplinës të UEFA-s, për një vendim në përputhje me shtojcën I të rregullores së Ligës së Kampionëve 2020/21 të UEFA-s, që është miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s javën e kaluar.

Ndërkohë, FFK i ka bërë lutje UEFA-s që të mundësojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje në ndonjë termin tjetër dhe vend tjetër.

(Kosova Sot Online)