Lillard shënon 61 pikë, Giannis ndëshkohet pas zënkës me rivalin

  • S.A /
  • 12 August 2020 - 09:21
Lillard shënon 61 pikë, Giannis ndëshkohet pas zënkës me rivalin

Damian Lillard e barazoi rekordin e tij personal në karrierë me 61 pikët e shënuara dhe e dha asistin për koshin e Hassan Whiteside, që dëshmoi të jetë vendimtar në fitoren e Portland Trail Blazers me rezultat 134:131 kundër Dallas Mavericks të martën në Orlando.

Lillard u bë edhe lojtari i parë në histori të Portland që arriti të shënojë më shumë se 50 pikë në dy ndeshje radhazi të zhvilluara në NBA

E përderisa Lillardit i ndihmoi edhe Carmelo Anthony me 26 pikët e tij, Dallas i pati pesë lojtarët titullarë me numër dyshifrorë në pikë të shënuara në fund të ndeshjes. Luka Doncic i regjistroi 25 pikë, dhjetë asiste dhe tetë kërcime, ndërsa Tim Hardaway Jr e mbylli ndeshjen me 24 pikë.

Milwaukee Bucks 126 – Washington Wizards 113

Giannis Antetokounmpo u ndëshkua me largim nga ndeshja gjatë çerekut të dytë pasi e goditi me kokë Moritz Wagnerin, mirëpo Bucks arritën ta marrin prapëseprapë fitoren në këtë përballje.

Gjyqtari fishkëlleu pasi vlerësoi se Antetokounmpo bëri ndërhyrje të parregullt ndaj qendrës së Wizards, Wagner, dhe pas kësaj dyshja e pati një zënkë që përfundoi me goditje në kokë nga greku. Asnjëri lojtar nuk mbeti i lënduar nga ky incident, ndërsa Antetokounmpo u largua nga ndeshja menjëherë, duke e mbyllur kështu lojën me 12 pikë dhe nëntë kërcime në vetëm dhjetë minuta lojë.

Bucks i shënuan gjashtë pikët e para të ndeshjes, duke e mbajtur skuadrën kundërshtarë pa pikë të shënuara për gati katër minuta. Rui Hachimura ishte më i miri te Wizards me 20 pikët e tij, që nuk mjaftuan t’ia shmangin humbjen e shtatë radhazi që nga rinisja.

Phoenix Suns 130 – Philadelphia 76ers 117

Devin Booker kontribuoi me 35 pikë, nëntë kërcime dhe shtatë asiste për t’ia dhënë Phoenix fitoren kundër Philadelphias.

Mikal Bridges i shtoi 24 pikë e Dario Saric ndihmoi me 18, për t’ia dhënë Suns fitoren e shtatë radhazi që nga rinisja e sezonit, duke u ngritur kështu në garën për kualifikimin në fazën play-offs.

Boston Celtics 122 – Memphis Grizzlies 107

Jayson Tatum i shënoi 29 pikë, Kemba Walker i shtoi 18 dhe Boston ia dha Memphis një fitore zhgënjyese, pasi që Grizzlies e humbën vendin e tetë në Konferencën e Perëndimit shkaku i kësaj disfate, duke e rrezikuar kështu vendin në play-offs.

San Antonio Spurs 123 – Houston Rockets 105

San Antonio e mori një fitore bindëse kundër Houston, që ishte pa yllin James Harden, në një ndeshje të rëndësishme për radhitjen në tabelë, falë 24 pikëve dhe 11 kërcimeve të Keldon Johnson dhe 23 pikëve të DeMar DeRozan.

Sacramento Kings 112 – New Orleans Pelicans 106

Harrison Barnes i shënoi 25 pikë për t’i ndihmuar skuadrën së tij të marrë fitore kundër New Orleans, që luajti pa pesë titullarë shkaku i disa lëndimeve të vogla.

Brooklyn Nets 108 – Orlando Magic 96

Brooklyn e mori kontrollin e ndeshjes qysh në fillim kundër Orlandos, falë paraqitjeve të mira nga Timothe Luwawu-Cabarrot dhe Jeremiah Martin, të cilët i shënuan nga 24 pikë secili.

(Kosova Sot Online )