Trajneri i Atalantas: Jemi përgatitur me mendimin se Mbappe do të luajë

  • S.A /
  • 12 August 2020 - 09:31
Trajneri i Atalantas: Jemi përgatitur me mendimin se Mbappe do të luajë

rajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini, ka thënë se skuadra e tij është duke u përgatitur për ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit duke e marrë si të kryer pjesëmarrjen e Kylian Mbappes në këtë ndeshje.

Golashënuesi më i mirë i PSG-së, Kylian Mbappe, ishte menduar se do ta ketë të pamundur kthimin në kohë nga lëndimi i tij, që e pësoi më 24 korrik në finale të Kupës së Francës, për ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Madje, vetë trajneri i gjigantit francez, Thomas Tuchel, kishte thënë se do të duhej të ndodhte ndonjë mrekulli për të marrë pjesë Mbappe në këtë ndeshje.

Megjithatë, të martën Tuchel e konfirmoi se Mbappe do të mundë të inkuadrohet në lojë nga stoli. Gasperini ka thënë se skuadra e tij është përgatitur që nga fillimi për pjesëmarrjen edhe të francezit në këtë përballje.

“Mbappe është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai mund ta ndryshojë rrjedhën e ndeshjes”, ka thënë Gasperini.

“Ne jemi duke e përgatitur veten me mendimin se ai do të jetë në fushën e lojës, por do ta shohim nesër”.

(Kosova Sot Online )