Presidenti i Atletico Madridit: Bota e futbollit na e ka borxh një trofe të Champions

  • S.A /
  • 12 gusht 2020 - 16:28
Presidenti i Atletico Madridit: Bota e futbollit na e ka borxh një trofe të Champions

Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, beson se bota e futbollit ia ka borxh skuadrës së tij një trofe të Ligës së Kampionëve dhe shpreson që ky borxh do të shpaguhet këtë vit

Mark Clattenburg e ndau drejtësinë në ndeshjen vendimtare evropiane, në të cilën Real Madridi e mundi Atletico Madridin me penallti, pasi loja e rregullt gjatë finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2016 kishte mbaruar baras 1:1. Por, Clattenburg më vonë e kishte pranuar se goli i parë i Real Madridit, i shënuar nga kapiteni Sergio Ramos, duhej të ishte anuluar pasi që ishte në pozitë jashtë loje.

“Në atë finale, Real Madridi kaloi në epërsi 1:0 në pjesën e parë, por goli ishte nga një pozitë jashtë loje dhe këtë e kuptuam në pushimin mes pjesëve – ishte vendim i vështirë dhe ndihmësi im e huqi”, vazhdoi ai.

I pyetur për gjasat e Atletico Madridit për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve këtë sezon, presidenti i Atletico Madridit ka thënë se dëshiron t’i fshijë kujtimet e këqija dhe të fitojë këtë herë.

“Ne kemi luajtur në tre finale  1974, 2014 dhe 2016 – dhe për disa arsye të ndryshme nuk arritëm ta fitojmë asnjërën prej tyre”, ka thënë Cerezo.

“Bota e futbollit na e ka borxh një trofe të Ligës së Kampionëve dhe shpresoj që kjo do të realizohet. Kështu është futbolli, e kishim në duar trofeun tri herë dhe e lëshuam nga duart. Duam t’i fshijmë këto kujtime nga mendja”.

(Kosova Sot Online )