Atletico Madridi dhe Leipzigu, luftë sonte për gjysmëfinalen kundër PSG-së

  • S.A /
  • 13 August 2020 - 08:56
Atletico Madridi dhe Leipzigu, luftë sonte për gjysmëfinalen kundër PSG-së

Atletico Madridi dhe Leipzigu do të përballen të enjten në orën 21:00 në stadiumin Jose Alvalade në Lisbonë të Portugalisë për ta përcaktuar gjysmëfinalistin e radhës të Ligës së Kampionëve, që do të luajë kundër Paris Saint-Germainit.

Leipzigu dhe Atletico Madridi ishin në mesin e katër klubeve që e kishin siguruar një vend në çerekfinale para se të ndërpritej sezoni shkaku i koronavirusit. Kështu që, kjo do të jetë ndeshja e parë në Champions që nga rinisja për të dyja klubet.

Njëjtë si me ndeshjen tjetër çerekfinale që u zhvillua të martën – të cilën e fitoi Paris Saint-Germaini me rezultat 2:1 kundër Atalantas – edhe fituesi i duelit mes Leipzigut dhe Atletico Madridit do të shpallet pas kësaj ndeshjeje të vetme.

Leipzigu ka ardhur deri në këtë rund pas fitores me rezultat të përgjithshëm 4:0 kundër Tottenhamit dhe pasi s’janë mposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve.

Në anën tjetër, Atletico Madridi dëshiron ta shfrytëzojë përvojën që e ka nga arritja deri në finale në vitet 2014 dhe 2016 në këtë garë, përderisa këtë herë synon të shkojë një hap më tutje dhe ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve.

Dy skuadrat nuk janë përballur mes vete kurrë më parë, por vijnë në këtë ndeshje të vetëdijshëm se fituesi do ta zërë një vend në gjysmëfinale kundër Paris Saint-Germainit.

(Kosova Sot Online )