Trajneri i Atalantas, i kënaqur përkundër eliminimit: Synimi ynë ishte mbijetesa në Serie A

  • S.A /
  • 13 gusht 2020 - 10:29
Trajneri i Atalantas, i kënaqur përkundër eliminimit: Synimi ynë ishte mbijetesa në Serie A

Përkundër zhgënjimit që ëndrra e arritjes në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve iu shua në momentet e fundit të ndeshjes, trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini, u shpreh i kënaqur me arritjet e skuadrës së tij këtë sezon, duke e theksuar që presidenti i klubit, Antonio Percassi, ua kishte vendosur si synim mbijetesën në Serie A.

Atalanta ka qenë historia përrallore e këtij sezoni të futbollit evropian dhe italian, duke thyer rekorde me arritjen e vendit të tretë në tabelën e Serisë A dhe me ecurinë e paharrueshme deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Atalanta e Gasperinit, duke garuar për herë të parë në histori në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ishte vetëm disa minuta larg arritjes historike të gjysmëfinales të mërkurën, para se Paris Saint-Germaini ta përmbyste rezultatin në minutat shtesë të pjesës së dytë.

“Ne jemi shumë të zhgënjyer pasi që e ndienim se për pak se s’ishim në gjysmëfinale. Kjo do të kishte qenë e jashtëzakonshme, por është e jashtëzakonshme edhe kështu. Ne duam të përmirësohemi sezonin e ardhshëm, ndoshta jo në rezultate sepse do të jetë e vështirë, por si ekip”, ka thënë Gasperini.

“Ne përfunduam në pozitën e tretë në Serie A për të dytin vit radhazi, por kemi skuadra që i kishin 10 apo 12 pikë prapa vetes dhe ato s’do të jenë më në atë pozitë. Ne nuk e nisin kurrë një sezon duke e pasur synim titullin, synojmë të përmirësohemi dhe pastaj e shohim situatën”.

“Synimet tona gjithmonë përcaktohen me kalimin e kohës. Në fakt, presidenti gjithmonë na thotë në fillim që na duhet 40 pikë për ta siguruar mbijetesën në Serie A! Ne i kemi rritur standardet dhe jemi shumë të lumtur që jemi kthyer në Ligën e Kampionëve, pasi që kjo është mjaftueshëm sukses”.

(Kosova Sot Online )