Reagon kundërshtari i Dritës pas vendimit të UEFA-s

  • S.A /
  • 13 August 2020 - 12:02
Reagon kundërshtari i Dritës pas vendimit të UEFA-s

Klubi irlandez Linfield ka bërë të ditur se e pranon dhe respekton vendimin e UEFA-s për t’ia dhënë fitoren 3:0 në tavolinë kundër Dritës në ndeshjen kualifikuese për Ligën e Kampionëve, pasi ndeshja u anulua të martën.

Kampionia e Kosovës, Drita, e nisi rrugëtimin në kualifikimet për Ligën e Kampionëve me fitore, pasi që arriti ta mposhtë me rezultat 2:1 klubin nga Andorra, Inter Club d’Escaldes, falë golave të shënuara nga Xhevdet Shabani dhe Hamdi Naman.

Gjilanasit synon ta vazhdonin rrugëtimin me po këtë hap të martën në orën 18:00, kundër klubit irlandez Linfield, në finalen e rundit preliminar në kualifikimet për Champions, por një gjë e tillë iu pamundësua

Autoritetet zvicerane e anuluan ndeshjen e së martës shkaku i infektimeve me Covid-19 në skuadrën e Dritës, ndërsa të mërkurën UEFA mori vendim që skuadrës së Ardian Nuhiut t’ia shuajë ëndrrat për kualifikimin në Ligën e Kampionëve, duke ia regjistruar ndeshjen si humbje me rezultat 3:0 në tavolinë.

Përderisa Drita është ankuar për këtë vendim dhe ka bërë të ditur se do t’ia kalojë në dorë avokatëve çështjen, Linfield ka reaguar duke shprehur përkrahje për vendimin e UEFA-s.

“Linfield e pranon dhe respekton këtë vendim dhe tani që skuadra është kthyer e sigurt në Belfast, të gjithë janë të përqendruar në sfidën e së martës kundër Legia Warsaw”, thuhet në reagimin e Linfield.

“Nuk do të ketë më komente të mëtutjeshme për ngjarjet e mbrëmjes së kaluar”.

E përkundër që Drita kishte shpresuar të shkruante historinë këtë edicion me kualifikimet për në Ligën e Kampionëve, djemtë e Nuhiut do ta kenë edhe një mundësi tjetër në Evropë, duke zënë një vend në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës.

Rundi i dytë kualifikues për Ligën e Evropës i sjell në konkurrencë gjithsej 94 skuadra, tri prej të cilave janë humbësit e rundit preliminar për kualifikim në Ligën e Kampionëve (ku bën pjesë edhe Drita), 17 humbësit e rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, 47 fituesit e rundit të parë kualifikues për Ligën e Evropës dhe 27 skuadra të tjera evropiane që hynë direkt në këtë fazë.

Në Ligën e Evropës, Drita mund të jetë në garë bashkë me dy klubet e tjera kosovare që po garojnë në Evropë, Prishtinën dhe Gjilanin.

(Kosova Sot Online )