Trajneri i Bayernit: S’do të luajmë kundër Messit, por kundër Barcelonës

  • S.A /
  • 14 August 2020 - 09:16
Trajneri i Bayernit: S’do të luajmë kundër Messit, por kundër Barcelonës

Trajneri i Bayern Munichut, Hansi Flick, ka bërë të ditur se skuadra e tij është duke bërë plane për Lionel Messin, mirëpo e di se ka rrezik edhe nga pjesa tjetër e skuadrës së Barcelonës për përballjen mes dy klubeve në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Barcelona kaloi në çerekfinale pas fitores me rezultat 3:1 kundër Napolit, me rezultat të përgjithshëm 4:2 dhe do të tentojë të vazhdojë me të njëjtin hap për t’iu shmangur sezonit të parë pa trofe në 12 vjet.

 

Djemtë e Quique Setien i humbën trofetë e Kupës së Mbretit dhe La Ligës, mirëpo janë të pamposhtur në tetë ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe e kanë humbur vetëm një nga 13 ndeshjet e fundit, që i bënë katalonasit më optimistë për ndeshje.

Mirëpo, Bayerni vjen në këtë ndeshje me një synim edhe më të madh, pasi që dëshiron ta mbyllë sezonin me tripletë, pas sukseseve në Kupën e Gjermanisë dhe Bundesligë. Edhe Bayerni po e shijon një ecuri prej tetë ndeshjeve radhazi të fituara në Ligën e Kampionëve, përderisa kanë arritur ta mbajnë portën e paprekur në katër nga këto ndeshje.

Barcelona varet nga Lionel Messi më së shumti për ta kaluar këtë rund, por Flick ka insistuar se edhe pjesa tjetër e skuadrës së Barcelonës mund ta rrezikojë portën e Bayernit.

“Ndeshja nuk do të jetë Bayern Munichu kundër Messit, por kundër Barcelonës. Natyrisht se kemi menduar edhe se si do të luajmë kundër tij”, ka thënë Flick.

“Ka mundësi që ne do të luajmë së bashku për ta izoluar atë si skuadër. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjitha hapësirat që mund t’i lëmë, ta vendosim atë nën presion dhe të tentojmë t’i fitojmë duelet individuale”.

“Messi nuk është i vetmi lojtar që bie në sy nga skuadra e tyre. Edhe Gerard Pique, Antoine Griezmann, Ivan Rakitic dhe Luis Suarez janë top lojtarë, ndërsa Marc-Andre Ter Stegen është portier i klasit botëror”.

(Kosova Sot Online )