Walker insiston: Suksesi në Champions nuk varet nga Guardiola

  • S.A /
  • 14 August 2020 - 10:46
Walker insiston: Suksesi në Champions nuk varet nga Guardiola

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Kyle Walker, ka insistuar se Pep Guardiola nuk mund të bëjë gjithçka për Manchester Cityn në rrugëtimin drejt trofeut të Ligës së Kampionëve dhe se suksesi varet nga paraqitja e lojtarëve në fushën e lojës.

Trajneri i Manchester Cityt nuk e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve që prej largimit nga Barcelona në vitin 2011 dhe nuk ka shkuar përtej fazës çerekfinale që kur iu bashkua klubit të Premierligës.

Megjithatë, skuadra e tij është favorite për ndeshjen e së shtunës kundër Lyonit, edhe pse Walker paralajmëroi se nuk duhet të lejohen gabimet nëse duan ta arrijnë gjysmëfinalen, pasi që përballë do ta kenë një Lyon që sapo e ka eliminuar Juventusin.

“Natyrisht, Pep mund ta bëjë atë që e bën në fjalimet që i bën kur takohemi si ekip dhe ne e dëgjojmë, por mendoj se na takon neve lojtarëve ta kryejmë punën në fushën e lojës”, ka thënë Walker.

“Nëse bën gabim në një ndeshje të madhe si kjo, ndëshkohesh. Por, kjo funksionon edhe anasjelltas, nëse kundërshtari bën gabim, ne mund ta ndëshkojmë cilëndo skuadër, siç e dëshmuam kundër Real Madridit”.

“Shpresoj që do të mund ta nisim ndeshjen mirë dhe ta gjejmë ritmin e  lojës që t’i dominojmë me të vërtetë”.

(Kosova Sot Online )