Nga asgjëja në pretendentë për titullin e Championsit, ngritja e tri klubeve në 12 vjet

  • S.A /
  • 14 August 2020 - 12:27
Nga asgjëja në pretendentë për titullin e Championsit, ngritja e tri klubeve në 12 vjet

Manchester City, Paris Saint-Germaini dhe Leipzigu po i afrohen ëndrrës për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, pasi e kanë arritur një ngritje mbresëlënëse brenda 12 vjetëve, falë investimeve të shumta në klub. Paris Saint-Germaini dhe Leipzigu do të përballen mes vete në gjysmëfinale të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, ndërsa Manchester City synon ta arrijë të njëjtin rund me fitore të dielën kundër Lyonit, në çerekfinale.

Këto tri klube nuk kanë traditë e histori mbresëlënëse në futboll, mirëpo kanë arritur suksese në sezonet e fundit, falë investimeve të bëra nga pronarët, gjë që i ka lënë shumë tifozë të irrituar.

Ngritjen e tyre e ka theksuar gazetari i BBC-së, Simon Stone, i cili shkroi në llogarinë e tij në Twitter se në çfarë gjendje kishin qenë këto tri klube që po e synojnë finalen e Ligës së Kampionëve në sezonin 2007/08, para investimeve nga pronarët e tyre.

“Në sezonin 2007/08, RB Leipzigu nuk ekzistonte, PSG-ja u radhit e 16-ta në ligën franceze, Man City e mbylli sezonin me disfatë 8:1 kundër Middlesbrough”, shkroi gazetari i BBC-së në Twitter.

Leipzigu është formuar vetëm para 11 vjetëve, në maj të vitit 2009, kur klubi gjerman u formua si pjesë e investimeve të shumta të kompanisë Red Bull në botën e sportit. Protestat lidhur me formimin e këtij klubi kanë vazhduar deri më tani qysh nga kur ishte paralajmëruar themelimi i Leipzigut, pasi shumë tifozë argumentojnë se tani gjithçka po varet nga paratë dhe po lihet anash trashëgimia historike në futboll.

Të njëjtat ankesa kanë sjellë pakënaqësi të tifozëve edhe me mënyrën se si janë menaxhuar Paris Saint-Germaini dhe Manchester City, që para investimeve nga kompanitë nga Abu Dhabi dhe Katari ishin klube irrelevante në Francë dhe Angli, ndërsa tani janë shndërruar në klube që i kanë dominuar garat vendore në vitet e fundit.

(Kosova Sot Online )