Vidal paralajmëron Bayernin: Do të luani kundër Barcelonës, jo me klube të Bundesligës

  • E.K /
  • 14 gusht 2020 - 14:38
Vidal paralajmëron Bayernin: Do të luani kundër Barcelonës, jo me klube të Bundesligës

Mesfushori Arturo Vidal beson se Barcelona është klubi më i mirë në botë dhe shtoi se lojtarët janë të përkushtuar për ta dëshmuar këtë gjë në çerekfinalen e së premtes në Ligën e Kampionëve.

Klubi katalonas e mbylli sezonin e La Ligës në pozitën e dytë në tabelë, prapa Real Madridit, përderisa e humbi edhe mundësinë për ta fituar titullin e Kupës së Mbretit.

Megjithatë, skuadra e Quique Setien dëshiron ta shmangë mbylljen e sezonit pa asnjë trofe, duke e fituar titullin e Ligës së Kampionëve. Para se të arrijnë te trofeu, katalonasit fillimisht duhet ta mposhtin Bayernin në çerekfinale.

Kampioni i Bundesligës është favoriti sipas bastoreve për këtë ndeshje, pasi e mposhti Chelsean bindshëm në 1/8 e finales dhe po e synon tripletën këtë sezon. Por, Vidal e ka paralajmëruar ish-klubin e tij para përballjes mes tyre.

“Unë i njoh lojtarët e Bayernit dhe e di se çfarë thonë ata në media, nuk është ajo që e mendojnë në të vërtetë. Nesër ata s’do të luajnë  kundër klubeve të Bundesligës, por kundër Barcelonës, klubit më të mirë në botë”, ka thënë Vidal.

“Unë i kuptoj dyshimet që mund t’i kenë tifozët, në ligë ne nuk e treguam nivelin tonë dhe kjo është arsyeja pse pësuam disfatë. Por, ne e kemi Leon dhe lojtarë të tjerë të mëdhenj, për këtë arsye them se jemi klubi më i mirë në botë dhe nesër duam ta dëshmojmë këtë”.

(Kosova Sot Online)