“Lewandowski duhet të nisë peticion kundër ‘France Football’ për Topin e Artë”

  • A.P /
  • 14 August 2020 - 17:50
“Lewandowski duhet të nisë peticion kundër ‘France Football’ për Topin e Artë”

“France Football” njoftoi muajin e kaluar se kishte anuluar dhënien e çmimit të “Topit të Artë” për këtë vit, duke e arsyetuar këtë vendim me “mospërmbushjen e kushteve të mjaftueshme” si rezultat i pandemisë së Koronavirusit.

Menjëherë nisën reagimet për padrejtësinë që po i bëhej Robert Lewandowskit, i cili ka shënuar 53 gola në të gjitha garat këtë sezon për Bayernin – 13 finalizime i ka regjistruar vetëm në Champions League (sonte Bayerni përplaset me Barcelonën në çerekfinale).

Rio Ferdinand, ish-mbrojtësi i Manchester United dhe i përfaqësueses së “Tre Luanëve”, është kundër vendimin të “France Football” dhe e shtyn sulmuesin polak të nisë nënshkrimin e një peticioni, që ky çmim individual të akordohet si çdo vit.

Ferdinand është i bindur që Lewandowski meriton të shpërblehet për performancën e jashtëzakonshme që ka dhuruar këtë sezon.

“Nëse do të isha Lewandowski, do të nisja një peticion për ta ndryshuar qëndrimin e “France Football”. Përveç vitit kur e mori Luka Modric, Messi dhe Ronaldo kanë mbizotëruar në garën për këtë çmim për 12 vitet e fundit. Lewandowski ka qenë në një nivel tjetër këtë sezon. Nuk mund ta besoj se e kanë anuluar. Është mizore, kjo është fjala e duhur për ta përshkruar. Lewandowski meriton ta fitojë atë çmim për atë që ka bërë këtë sezon. Nëse e udhëheq Bayernin drejt suksesit në Champions League dhe sërish nuk ia japin, nuk do të ishte e drejtë. Për atë që përfaqëson ky çmim për historinë e lojës, mendoj se është turp që ata e kanë hequr për këtë vit. Pse nuk mund ta japin çmimin, edhe nëse nuk do të ketë një ceremoni gala, siç bëjnë zakonisht? Unë mendoj se nuk shkon kështu”, deklaroi ai.

“Topi i Artë” është dhënë çdo vit, që kur u themelua për herë të parë në vitin 1956. Rekordin e mban Lionel Messi me gjashtë çmime të fituara.

(Kosova Sot Online)