Ronaldo shpjegon pse Real Madridi duhet ta transferojë Mbappen para Neymarit

  • A.P /
  • 23 August 2020 - 09:12
Ronaldo shpjegon pse Real Madridi duhet ta transferojë Mbappen para Neymarit

Legjenda braziliane, Ronaldo, beson se Real Madridi duhet ta transferojë Kylian Mbappen para bashkëlojtarit të tij te Paris Saint-Germain, Neymar, kryesisht për shkak të moshës.

Për Mbappen është përfolur se do t’i bashkohet Madridit dikur gjatë karrierës së vet, por kampioni i La Ligës synon të hidhet në sulm për të në verën e vitit 2021.

Edhe për ish-sulmuesin e Barcelonës, Neymar – i cili iu bashkua PSG-së për një marrëveshje që theu rekordin botëror më 2017 – është thënë se mund t’i bashkohet Madridit.

Por braziliani madhështor, Ronaldo – i cili e fitoi La Ligën me Madridin në sezonin 2002/03 – e parapëlqen Mbappen para Neymarit për shkak të moshës.

“Tani, nuk është se njëri është më i mirë se tjetri, por nëse Real Madridi duhet të bëjë investim të madh, atëherë duhet ta bëjë këtë duke menduar për të ardhmen”, tha Ronaldo.

“Neymar është 28 vjeç, Mbappe është 22. Si investim, do të ishte më e logjikshme të blihej lojtari më i ri në moshë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)