FFK thotë se ndeshja Trepça ’89 – Arbëria do të jetë test para vendimit të Qeverisë

  • S.A /
  • 18 September 2020 - 16:33
FFK thotë se ndeshja Trepça ’89 – Arbëria do të jetë test para vendimit të Qeverisë

Federata e Futbollit të Kosovës duket se nuk është krejtësisht e sigurt për fillimin e sezonit të ri në Superligë.

Në fakt, shtëpia e futbollit kosovar thotë se ndeshja e sotme ndërmjet Trepçës ’89 dhe Arbërisë do të jetë vetëm një test, për ta kuptuar më pas nëse do të zhvillohen ndeshjet tjera të xhiros së parë.

Institucioni më i lartë i futbollit kosovar shpjegon se e ka marrë “aminin” nga Ministria e Shëndetësisë për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, por që ndërkohë e pret vendimin final të organeve qeveritare për ndeshjet tjera.

“Federata e Futbollit e Kosovës ka kohë që i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e edicionit të ri, i cili do të nisë sot me ndeshjen hapëse ndërmjet Trepçës’89 dhe Arbërisë, që zhvillohet në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Në fakt, Ministria e Shëndetësisë e ka aprovuar sot kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, e cila do të jetë si test për të parë se si po operohet dhe sa po respektohen masat strikte në luftën kundër Covid-19, ndërkohë që pritet vendimi i Qeverisë, në mënyrë që më pas ecuria e kampionatit të rrjedhë normalisht sipas kalendarit të garave”, njofton FFK-ja.

Shtëpia e futbollit thotë se po punon vazhdimisht me institucionet tjera që së shpejti të merret edhe vendimi për rikthimin e një numri të caktuar të tifozëve në stadiume.

Ndërkohë, Komisioni i Garave ka vendosur ta shtyjë fillimin e kampionatit të ri në Ligën e Parë për shkak se disa klube nuk i kanë kryer ende kontrollimet mjekësore.

Në rast se klubet nuk i kryejnë kontrollimet mjekësore deri javën tjetër, atëherë ndeshjet do t’i humbin me rezultat zyrtar.

(Kosova Sot Online )